Çka ka të përbashkët pandemia me Ramazanin?

Çka ka të përbashkët pandemia me Ramazanin?

Ballsor Hoxha

Njeriu është i prirë që jetën ta shoh si përparim, përparim të programuar. Veturën e madhe gjigante, sa më të madhe, e sheh si përparim, pavarësisht pasojave: kredinë si mundësi politizimi dhe rritjeje të pushtetit, rrezikun e ndotjes etj. Pastaj e sheh lirinë e tepruar, lirinë e mundësive të projektimeve të pafundme, prej “buzëve si të zezakëve”, e deri tek z-bythja e njeriut dhe trupit të tij si konfrontim me ideologjinë, e sheh po ashtu si përparim; pastaj politizimi i mjekësisë (aq të rëndësishme sot), me barna, me studime të paguara dhe vetëm atyre profitabile për barnaprofitabile, e deri tek politizimi i ushqimit, atij esencial, si zgjidhje më të arrirë, të shëndetshme, më e përparuar. Por pandemia po na mëson për një Ramazan, jo vetëm atë të – doktorit, por edhe atë religjioz, që ka qenë këtu si gjithmonë. Në të vërtetë po na mundëson të shohim një jetë tjetër.

Së pari, ka tri ndryshime tejet të thella në glob në historinë e afërt: 1. Përqëndrimi/kryengritja e religjionit; 2. Reagimi – dhëmb për dhëmb – i botës dhe kërcënimi i saj ndaj religjionit; 3. Shthurja/hapja e botës në projektime (që mbesin vetëm projektime) të pafundme të mundësisë së pafundme. Këto janëankthi i kalimit në hap gjigant si ai i mileniumit. Janë reaksioni zinxhirë i njerëzimit dhe sjelljes së tij. Prej mekanizmit esencial mbrojtës – religjionit, e deri tek liria e çoroditur si mekanizëm mbijetues në ankthin e shthurjes së epokave.

Por, a nuk jemi dëshmitarë sot, edhe pse nuk duam ta pranojmë, se jeta që po e bëjmë, jeta nën kujdesin e – doktorit, pra pandemia, kujdesi në jetët tona është vetë Ramazani. Mund ta harrojmë, apo ta politizojmë por religjioni, ritualet e tij, dhe posaçërisht agjërimi janë të gjitha mekanizma mbrojtës dhe mburoja për njerëzimin. Ruajnë njeriun e nga e keqja e tij, nga brishtësia e tij, nga pamundësia e tij.

Të gjitha ritualet e religjionit, shikuar në kohët kur kanë ardhur, ato kanë ardhur dhe janë menduar kështu dhe kanë ardhur si shpallje për të mbrojtur njerëzimin, pikërisht brenda të mundshmes, të përmbajtjes. Në këtë agjërimi është jo vetëm paqe dhe besim, dhe fuqizim, por aq më shumë rilindje dhe rindërtim i komunitetit. Solidaritet. Rikthim në të mundshmen dhe përballë brishtësisë sonë, si në këtë pandemi.

Çka po ndodh sot? Solidarizimi, agjërimi i detyruar, ndoshta jo në ushqim por në liri të jetës të panevojshme. Pastaj po ndodh dhe gjetja e njerëzores në ne, në kthim në familje dhe vetëm në sjellje të nevojshme, pa teprinë e mundësisë. Pastaj po ndodh edhe diçka tejet e rëndësishme: rikthimi i njeriut përballë pafuqisë së tij, si individuale si asaj kolektive. Dhe krejt këto së bashku, po e vetëdijesojnë  njerëzimin ndaj pakalueshmërisë së të pamundshmes. Brishtësisë sonë.

Qoftë edhe besimi, religjioni, të gjitha, sot nën pandeminë globale, janë tërhequr në respektin ndaj – doktorit -, mjekësisë dhe kujdesit. Janë tërhequr në praktikën e tyre të agjërimit, të muajit të Ramazanit, duke e jetësuar atë nën kujdes. Por - duke qenë i vetëdijshëm për këtë të thënë krejtësisht të guximshme - si muaji i Ramazanit po ashtu edhe religjioni, edhe të tjerët përpos Islamit, e dinë dhe e kanë si në literaturë e po ashtu edhe në gjenetikën e tyre – historinë dhe të keqen e pandemisë, pafuqinë e njeriut ndaj tërësisë, ndaj fatit dhe jetës, të pakontrollueshme.

Shikuar agjërimin, si në predikimet mbi atë, dhe shumë më shumë në raport me pandeminë e sotshme, Ramazani dhe agjërimi është vetë bindja të mundshmes, të kujdesit, dhe po ashtu edhe të pakontrollueshmes së mundësisë dhe me këtë edhe të lirisë. Është jo vetëm durim, paqe dhe kujdes, por shumë më shumë përmbajtje, dhe me përmbajtje urtësi ndaj asaj që ka njeriu. Asaj që është, këtu dhe jo asaj që projekton ëndrra.

Agjërimi në të vërtetë është vetë kufizimi i kolektivit njerëzor nën pandeminë. Respektimi i të mundshmes dhe aq më shumë mundësisë së fatkeqësisë. Në historinë e tij religjioni ka shëruar dhe ka shfarosur rreziqe kanosëse për tërë njerëzimin. Ai , aq më shumë ka ardhur, është shpallur dhe është bërë një prej të vërtetave, në mos të vërtetës së ditur, së paku të mbrojtjes së njeriut. Si mekanizëm mbrojtës.

Tërë jetësimi jonë ka mbetur në një pikë alarmi total – fjalën grenell (jo Grenell). A nuk ka jetë pas tij, dhe para tij? Jo pse duhet apo nuk duhet konfrontuar Amerikën e shenjtë, por sepse politizimi është prodhimi i vetë vetes, dhe me këtë tërë asaj që i duhet për të prodhuar më shumë. Për të prodhuar më shumë armë, më shumë nevojë për ato, e me të gjitha këto - më shumë pushtet. E pandemia është duke u rikthyer, së paku do të rikthehet, doktori thotë, e pushteti siç e mëson edhe një tregim krejtësisht kontrovers i Ismail Kadaresë, qoftë edhe përmbajtja e religjionit nën tërë dijen e saj për pakontrollueshmërinë dhe brishtësinë e njeriut, në pushtetin e njeriut kalon në të keqe. E keqja është këtu me ne, por së paku jo derisa vazhdon Ramazani.