Behramaj: Qeveria Kurti do duhej të turpërohej për keqmenaxhim të pandemisë
BKT
Lajme

Behramaj: Qeveria Kurti do duhej të turpërohej për keqmenaxhim të pandemisë

Këshilltari i presidentin, Adil Behramaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e situatës me pandemi. Ai tha se vendet e rajonit e kanë menaxhuar shumë më mirë situatën me pandeminë, sesa Kosova.

Behramaj përmes një statusi në rrjetin social 'Facebook' tha se kjo Qeveri në fakt do të duhej të turpërohej, sepse gjatë gjithë kohës punën e saj e ka karakterizuar mungesa e theksuar e pajisjeve elementare mbrojtëse, mungesa e testeve dhe mungesa e pajisjeve mjekësore për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe për Spitalet Rajonale. Ndërsa, në anën tjetër, kontratat milionëshe njëburimore, pa procedura të prokurimit dhe pa transparencë publike, nuk i munguan asnjëherë.

Postimi i plotë:

Me një analizë të thjeshtë krahasuar me numrin e popullsisë vërehet se Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi e kanë menaxhuar më mirë se Kosova situatën me pandeminë.

Por, nëse marrim parasysh që e kemi popullsinë më moshën më të re në rajon dhe mbi 80 për qind e të infektuarve, sipas deklaratave zyrtare, janë vetëshëruar në kushte shtëpie, atëherë kjo Qeveri nuk është fare meritore, siç po krekoset, për menaxhimin e kësaj situate.

Kjo Qeveri në fakt do të duhej të turpërohej, sepse gjatë gjithë kohës punën e saj e ka karakterizuar mungesa e theksuar e pajisjeve elementare mbrojtëse, mungesa e testeve dhe mungesa e pajisjeve mjekësore për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe për Spitalet Rajonale. Ndërsa, në anën tjetër, kontratat milionëshe njëburimore, pa procedura të prokurimit dhe pa transparencë publike, nuk i munguan asnjëherë.

Papërgjegjshëm kjo Qeveri i ka lënë me nga një javë në pritje qytetarët e infektuar për bërjen e një testi, që pas kontakteve të tyre me dhjetëra të tjerë, të njëjtit rezultonin pozitivë me COVID-19. Dhe, nëse marrim parasysh numrin e madh në mbi 80 për qind të të shëruarve në kushte shtëpie dhe numrin jashtëzakonisht të vogël të testimeve për kokë banori krahasuar me të gjitha shtetet e rajonit, atëherë potencialisht numri i të infektuarve mund të jetë dukshëm më i madh.

Edhe pse është për t’u turpëruar, nuk është për t’u çuditur nëse kjo Qeveri krenohet me 1000 teste të pranuara si donacion shtetëror nga Serbia dhe me asistencën e stafit mjekësor të Serbisë për luftimin e pandemisë në Kosovë.

Në anën tjetër, pavarësisht që Shqipëria dukshëm e ka menaxhuar më së miri këtë krizë dhe Qeveria jonë e kishte “gojëtarinë” plot patriotizëm dhe bashkim kombëtar, ajo nuk ndërmori asnjë iniciativë që të bashkëpunonte me autoritetet shqiptare, por partner kryesor në luftimin e pandemisë e bëri Serbinë.

Këto janë disa krahasime bazuar në numrin e popullsisë dhe të dhënat e mëngjesit të sotëm rreth situatës me pandeminë në Kosovë dhe rajon.

No photo description available.


MË SHUME NGA Lajme