Çfarë duhet të dimë për sëmundjen që shkakton probleme me tretjen
BKT
Lifestyle

Çfarë duhet të dimë për sëmundjen që shkakton probleme me tretjen

Çrregullimet në aparatin e tretjes janë ndër problemet më të shpeshta që shfaqen pothuajse tek të gjitha grupmoshat gjatë përditshmërisë. Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve vuajnë nga sëmundja që njihet ndryshe si “dispepsia”, e cila ka të bëjë me mosfunksionimin siç duhet të stomakut, apo pjesës së parë të zorrëve të holla.

Shkaqet që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë nga më të ndryshmet. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar faktorët që ndikojnë, simptomat klinike, si dhe kujdesin që duhet të ndjekim për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga kjo sëmundje.

Çfarë është dispepsia?

Dispepsia është një çrregullim funksional, në të cilin organet e aparatit tretës, kryesisht stomaku dhe pjesa e parë e zorrëve të holla nuk funksionojnë normalisht. Me termin funksional, kuptohet fakti që muskujt, ose nervat që kontrollojnë organet nuk funksionojnë normalisht dhe për rrjedhojë organet nuk funksionojnë siç duhet dhe prodhojnë simptomat klinike të kësaj sëmundjeje. Nervat që kontrollojnë organet përfshijnë jo vetëm nervat që shtrihen brenda muskujve të organeve, por edhe nervat e kurrizit dhe të trurit.

Si diagnostikohet?
Kjo është një sëmundje kronike në të cilën simptomat luhaten në frekuencë dhe intensitet për shumë muaj, ose vite. Mund të ndodhë rregullisht çdo ditë, por mund të ketë ndërprerje me ditë, ose javë pasuar pastaj me çrregullime ditore, ose javore. Dispepsia është diagnostikuar në bazë të simptomave tipike dhe mungesës së sëmundjeve të tjera të aparatit tretës, sidomos atyre të lidhura me aciditetin e tepërt (ulcerat, gastritis, ezofagitis).

Ndodh që dispepsia të ngatërrohet me sëmundje të tjera?
Meqenëse zemra qëndron pranë stomakut dhe ezofagut, shpesh herë ka konfuzion në lidhje me dhimbjet që shkaktohen në pjesën e sipërme të stomakut dhe zonën e kraharorit. Prandaj në këto raste duhet të merret parasysh dhe sulmi në zemër. Jo rrallë, shqetësimet e dispepsisë mund të ndihen në shpinë, prandaj duhen përjashtuar me kujdes të gjitha shkaqet e mundshme përpara se të fillojmë trajtimin e dispepsisë.

Po ushqimet a ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje?
Shumë njerëz janë në gjendje të identifikojnë ushqime specifike që provokojnë dispepsi. Përkundër këtij fakti, ka pak ushqime, shmangia e të cilave mund të rekomandohet në mënyrë të përgjithshme (pra parimisht), pasi jo të gjithë njerëzit me dispepsi kanë problem me të njëjtat ushqime.

Gjithashtu nuk ka ushqime, apo dieta që mund të rekomandohen për parandalimin e dispepsisë, përveç atyre që eliminojnë ushqimet që provokojnë simptoma klinike. Çrregullimet funksionale të traktit tretës shpesh emërtohen sipas organit të prekur. Kështu ka çrregullime funksionale të ezofagut, të stomakut, zorrëve të holla apo fshikëzës së tëmthit.

Cilat janë simptomat konkrete klinike?
Simptomat ndryshojnë në varësi të organit të prekur. Kur përfshihet stomaku kemi kryesisht dhimbje në pjesën e sipërme të tij, parehati në zonën rreth kërthizës, të përziera ose të vjella, ndjesia e ngopjes së menjëhershme edhe pas një sasie të vogël ushqimi, fryrje barku.

Simptomat më së shpeshti provokohen nga ngrënia. Dispepsia ndodh shpesh gjatë shtatzanisë. Në rastin kur përfshihen rrugët e tëmthit dhimbja mund të përhapet në shpinë. Pacientët zakonisht kanë gromësira, simptomë kjo e lidhur gabimisht me dispepsinë. Gromësira është akti i nxjerrjes së gazit nga stomaku nëpërmjet gojës.

Stomaku në këtë rast është i fryrë nga ajri i gëlltitur. Shtrëngimi i stomakut shkakton parehati të barkut dhe nëpërmjet gromësitjes ajri del dhe lehtëson sikletin. Arsyet e gëlltitjes së sasive të mëdha të ajrit (aerofagia), ose gazit janë ushqyerja ose pirja shumë shpejt, pijet e gazuara dhe ankthi. Njerëzit shpesh nuk janë në dijeni se gëlltisin ajrin. Për disa njerëz gromësitja bëhet një zakon dhe nuk pasqyron sasinë e ajrit në stomakun e tyre. Për disa të tjerë ajo është një përgjigje për çdo lloj dhimbje të barkut dhe jo vetëm për shkak të rritjes së gazit.

Si është ecuria e kësaj sëmundjeje?
Dispepsia është një sëmundje kronike që zgjat me vite, ndoshta edhe gjithë jetën. Sidoqoftë ajo shfaq periodicitet. Shpesh dispepsia është pasojë e ulcerës së stomakut, apo e refluksit acid (kthimit mbrapsht të ushqimit). Gjatë refluksit acid përjetojmë ndjesinë e djegies, shtrëngimit në kraharor, e cila duhet të diferencohet saktë me problemet e zemrës. Ekzaminimet diferenciale në këtë rast marrin një rëndësi të veçantë.

A ndikojnë medikamentet në rëndimin e simptomave të dispepsisë?
Shkaktar i dispepsisë mund të jenë jo rrallë medikamentet antiinflamatore (kundër infeksioneve) të tipit ibuprofen, aspirinë, apo llojet e ndryshme të preparateve kortizonike. Prandaj pacientët që marrin këto medikamente duhet të konsultohen vazhdimisht me mjekët përkatës. Zakonisht këto shoqërohen edhe me medikamente që mbrojnë aparatin tretës dhe ulin aciditetin e tij.

Çfarë mund të themi në lidhje me trajtimin që duhet të ndjekin pacientët që vuajnë nga dispepsia?
Trajtimi i dispepsisë varet nga sëmundja bazë. Pra në radhë të parë është trajtim etiologjik, pra të eliminohet shkaku por edhe simptomatik, pra të lehtësojmë situatën klinike.

Në jo pak raste nuk gjendet asnjë shkak i dispepsisë dhe në këto raste mjekimi synon të lehtësojë situatën klinike. Edhe pse dispepsia është një problem përgjithësisht kronik janë një sërë masash që ne mund t’i marrim për të lehtësuar simptomat e saj.

Masa që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin për ushqimin, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Disa këshilla që nuk duhet t’i neglizhoni!
• Nëse pini duhan dhe alkool, mundohuni t’i eliminoni ato nga dieta juaj.
• Nëse ushqime të caktuara shqetësojnë stomakun tuaj, apo japin fryrje barku dhe grumbullim gazrash, mundohuni t’i eliminoni.
• Është e vështirë të thuhet por mundohuni të eliminoni stresin në jetën tuaj.
• Nëse keni refluks acid, mos hani asnjëherë para gjumit. Minimumi duhet ngrënë dy orë para se të shtriheni. Madje mundësisht të bëni edhe një shëtitje të lehtë për të ndihmuar procesin e tretjes.

Ndikimi i ulcerave dhe sëmundjeve të tjera të stomakut
Ndonjëherë dispepsia mund të jetë shenja e parë e një problemi serioz për shëndetin, siç është për shembull një ulçer e thellë e stomakut. Më rrallë dispepsia shkaktohet nga kanceri i stomakut.

Pra si përfundim gjithsekush duhet të jetë mjeku i vetvetes. Çdo organizëm ka individualitetin e vet dhe gjithsecili nga ne duhet të përpiqet të njohë se si funksionon organizmi i tij.

Përpiquni të eliminoni ushqimet që ju bëjnë të ndiheni keq, që japin fryrje barku, rritje të aciditetit, apo dhimbje barku dhe diskomfort (parehati) të përgjithshëm. Një dietë e ekuilibruar dhe stil aktiv i jetës është gjithmonë në favor të shëndetit.