Pogba, ja pse Juventusi vazhdon ta ëndërrojë
Një dashuri që nuk u ezaurua asnjëherë deri në pikën e fundit.
Që prej rikthimit te Manchester United, apo kohëve të hashtagut “Pogback”, flitet për një rikthim të mesfushorit francez te Juve, i cili në verën e 2016-ës nga pikëpamja ekonomike përbënte një kryevepër gati të papërsëritshme: erdhi nga “Djajtë e kuq” (që e kishin rritur te të rinjtë) me parametër zero për ta rikthyer më pas për 110 milionë euro. Por prej atij momenti dhe më pas, bardhezinjve u ka munguar si buka ai lloj futbollisti.
LIDER – Po, sepse Pol Pogba te Juve ishte një gur shahu shumë i rëndësishëm, me Antonio Konten në fillim dhe më pas Masimiliano Alegrin. Në katër sezonet me fanellën e “Zonjës”, francezi ishte pak nga të gjitha: tërheqës i ekipit, lider, lojtar skuadre. Anarkia e tij taktike, nëse në pamje të parë dukej se ishte një defekt, në të vërtetë ishte një shpëtim, që në momentet më të vështira zhbllokonte skuadrën, duke i thyer mbrojtjet kundërshtare me një goditje gjeniu. Emblematike ndeshja Milan-Juve në prill 2016, nësezonin e fundit të tij në Itali.
Në pjesën e parë Pogba thuajse ishte inekzistent, por në 45 minutat e dyta erdhi kthesa: francezi ekzekuton një goditje dënimi me një saktësi kirurgjike, e cila ndalet në rrjetë pasi u përplas në shtyllë. Prej atij momenti, skuadrën e ka të gjithën në shpatullat e tij derisa firmos edhe golin vendimtar të 2-1, që në praktikë u dorëzon titullin bardhezinjve, të katërtin për Pol, i cili me Juven fitoi edhe dy Kupa Italie dhe tri Superkupa.
VENDIMTAR – Në verën e 2016-ës, “Zonja” humbi një prej mesfushorëve më të mirë në qarkullim, i cili dy vite më vonë u bë edhe kampion bote. Forca e tij fizike, duke i shtuar edhe teknikën e tij superfine, janë armët që do ta akomodonin nëçdo skuadër. Rikthimi te United nuk ishte ekzaltues për shkak të shumë motiveve: nga pozicioni i tij në fushë, deri te problemet në kavilje të sezonit të fundit, që e ka parë në fushë vetëm në 7 ndeshje në Premier Ligë.
Por problemet fizike duket se janë zgjidhur dhe me ardhjen e verës, do të nisë joshja e ekipeve kryesore të Europës, mes të cilave edhe Juventusi. Nëse Pol do të rikthehej me të vërtetë, Sarri do të kishte një lojtar perfekt për stilin e lojës së tij.
Nga mesfushor i majtë, roli i tij i preferuar, deri te zhvendosjet në zonën kundërshtare, që këtë vit kanë qenë shumë të rralla pasi u dëmtua edhe Khedira. Ja përse Juve nuk ka reshtur kurrë së menduari për të…























