Haradinaj dhe Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e Sylë Zhitisë
BKT
Lajme

Haradinaj dhe Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e Sylë Zhitisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kanë ngushëlluar familjen Zhitia me rastin e vdekjes së Sylë Zhitisë, duke e cilësuar si një veprimtar të shquar të çështjes kombëtare.

Haradianj ka shkruar se me pikëllim ka marrë lajmin për kalimin në amshim të veprimtarit të shquar, Sylë Osmon Zhitia, vëllau i Heroit të Kombit Afrim Zhitia. 

Ai ka shkruar në Facebook se familja Zhitia, e njohur për atdhedashuri, ka qëndruar çdoherë e paluhatur në parimet shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të kombit tonë. 

“Ngushëllime të thella familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve”, ka shkruar ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shkruar se është i trishtë lajmi për vdekjen e parakohshme të Sylë Zhitisë, vëlla i heroit të kombit, Afrim Zhitia.

“Sylë Zhitia, nga një familje atdhetare, ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zhitia, miqve dhe gjithë atyre që e kanë njohur Sylën”, ka shkruar ai.

Ngushëllime familjes Zhitia i ka shprehur edhe Xhavit Haliti i PDK-së. Ai ka shkruar në Facebook se Syla, jo vetëm që ishte i vëllai i Heroit Afrim Zhitia, por ishte dhe bashkëveprimtar i tij dhe Halitit. 

“Ishte një nga djemtë më të devotshëm të Kosovës. Kontribues i pa ndalshëm dhe i gatshëm për të qenë çdo kohë në shërbim të çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet e mia të zemrës prindërve, familjes dhe bashkëveprimtarëve. Prehu në paqe, miku im Sylë”, ka shkruar ai.

Sylë Zhitia u lind më 15 janar 1962 në familjen e Osman Zhitisë, babait të heroit të kombit, Afrim Zhitia.

Si djalë i parë i familjes, Syla trashëgoi emrin e gjyshit të vet, Sylë Durmishit, luftëtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe partizanit dy herë të plagosur gjatë luftës Nacional çlirimtare në Shqipëri. Më 1945 Sylë Durmishi ra heroikisht duke luftuar me forcat komuniste jugosllave që nuk respektuan të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë.

Edhe gjyshi nga ana e nënës, Hakif Rimanishta ishte një atdhetarë i njohur që u ekzekutua nga forcat komuniste jugosllave.

Të brumosur me frymën e atdhedashurisë fëmijët e Osman e Qamile Zhitisë, Syla, Sahadeti, Afrimi dhe Naimi gjithmonë ishin aty ku i kërkonte çështja kombëtare.


MË SHUME NGA Lajme