Valon Berisha flet për RTK-në: Rikthimi i futbollit, ndjenjë shumë e mirë
Anëtari i Fortuna Dyseldorfit dhe njëherësh futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha, ka folur në një lidhje direkte për Sportin në RTK. Berisha luajti për më shumë se 70 minuta në barazimin e skuadrës së tij kundër Paderbornit në ndeshjen e parë pas rikthimit të Bundesligës pas dy muajsh pushimi për shkak të pandemisë “Covid-19”.
Berisha ka deklaruar se rikthimi në fushën e gjelbër ishte një ndjenjë shumë e mirë, por mungesa e tifozëve e bën më ndryshe lojën e futbollit. “Ishte një ndjenjë shumë e mirë, sikur të fitonim do të ishte edhe më mirë. Patëm një paraqitje shumë të mirë me shumë raste dhe unë dy herë qëllova shtyllën. Pa tifozë është krejt ndryshe. Ata të japin motivim shtesë dhe krijojnë atmosferë brenda stadiumit dhe të japin më shumë vullnet. Tash duhet ta motivosh vetveten. Loja dukej sikur të ishte miqësore. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se kishim vetëm një jave stërvitje me ekipin dhe kjo ishte ndeshja e parë pas 2 muajve pushim normalisht që ishte lojë e mirë. Do të kisha dashur të shënoja, por s’kisha fat”, ka theksuar Berisha.
Ai tutje ka folur për objektivin e skuadrës, që është mbetja në Bundesligë. “Normal që duam ta realizojmë këtë objektiv. Atmosfera është shumë e mirë. Kemi ushtruar mirë dhe mendoj se jemi të përgatitur me arrit këtë qëllim. Edhe drejtuesit e klubit janë pas nesh me gjithçka”, ka thënë tutje Berisha.
Në fund Berisha ka folur edhe për ndeshjen e Kosovës me Maqedoninë e Veriut, e cila pritet të zhvillohet në tetor. Ai ka thënë se është e vështirë të vlerësohet se kush ka përparësi. “Aktualisht s’kemi përparësi asnjëra, sepse përveç lojtarëve që luajnë në Gjermani tjerat liga s’kanë filluar. Për veti e kam mbajtur formën edhe individualisht dhe tash sigurisht se me ndeshjet në Bundesligë do të më ndihmojnë edhe më shumë”, është shprehur Berisha.























