Demantohet Sveçla: Organizatori për falje përkrahës i Albin Kurtit
U.D. ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është demantuar shumë shpejt pasi akuzoi profesorin Milazim Krasniqin se ka organizuar protesta në shesh, ajo jo vetëm që nuk ishte prapa ndonjë organizimi, por disa të ri në shesh kanë organizuar faljen e ikindisë, e njëri nga këta organizator është përkrahës i Vetëvendosjes.
Ishte Sveçla ai cili e nisi sot ditën hodhi akuza e paralajmëroi ndërhyrje nga Policia nëse ka ndonjë organizim në shesh, por ai u demantua pasdite nga vet organizatorët e aksionit, të cilët sipas të dhënave publike në rrjete sociale dolën se ishin në fakt mbështetës të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Njëri nga personat që ka hapur peticionin për hapjen e xhamive dhe që është pjesë e organizimit për faljen e namazit në sheshin e Prishtinës del të jetë përkrahës i VV-së dhe Albin Kurtit.
Siç shihet në profilin e tij në Facebook, njëri nga organizatorët, Shkëlqim Hajdaraj, është përkrahës i Albin Kurtit dhe VV-së.
Por duket se përpjekja e Sveçlës për të hequr vëmendjen se mbrapa aksionit qëndrojnë disa aktivistë të VV’së duke u munduar ta lidhë profesorin universitar Milazim Krasniqi me ta, ka irrituar shumë qytetarë, por edhe vet organizatorët e aksionit “Falu n’shesh”.
Ata i kanë reaguar ashpër Xhelal Sveçlës përmes një postimi në Facebook.
“Shprehim shqetësimin tonë në lidhje me deklaratat e ministrit në detyre në lidhje me protestën. Ajo që më së paku kemi dëshiruar ka qenë politizimi i kësaj çështje. Ne deklarojmë se nuk kemi të bëjmë asgjë me Milazim Krasniqin apo me këdo tjetër nga sferat politike gjithashtu nuk është i përfshirë asnjë hoxhë.
Të dhënat e organizatoreve janë të ditura për Policinë e Kosovës, pasi kemi dorëzuar fizikisht njoftimin në polici”, thuhet në reagimin e organizatorëve në faqen e tyre në Facebook.
“E kuptojmë qasjen dhe shqetësimin, pasi sot është vështirë të mendohet se bëhet një organizim i çfarëdo natyre pa instrumentalizim politik, por ky organizim është ndryshe. Ju kishim lutur të gjithë individëve dhe grupeve të interesit, që të mos e keqpërdorin për përfitime ditore apo inate personale. Allahu na mundësoftë që të hapen sa më shpejtë xhamitë”, thuhet në reagim.























