Kina - ndihmuese me prapavijë në krizën e Coronas

Kina - ndihmuese me prapavijë në krizën e Coronas

Pekini po ndihmon shumë vende të luftojnë pandeminë e Coronas - shumica janë vende të pazhvilluara në Afrikë.

 

Pekini po ndihmon shumë vende të luftojnë pandeminë e Coronas - shumica janë vende të pazhvilluara në Afrikë. Por ndihma nga komunistët e Kinës ka një të metë morale, shkruan redaktori i DW, Dang Yuan.

 

Takimi i Përgjithshëm Vjetor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBT) të hënën ishte podiumi i një loje politike të pushtetit. Pandemia e Corona-s që duhej të mbizotëronte në agjendë papritur u kthye në një çështje e vogël. Në të gjithë botën, pesë milion njerëz së shpejti do të infektohen nga virusi potencialisht vdekjeprurës, shkruan redaktori i DW, Dang Yuan.

Por në selinë e OBT-së në Gjenevë u acarua një mosmarrëveshje për sistemin: cili sistem politik është më i miri për të mbrojtur me efikasitet një vend dhe njerëzit e tij në rast fatkeqësie? Simbolikisht SHBA përfaqëson demokracitë dhe Kina qeveritë totalitare.

Në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump i mbyll OBT-së rubinetin e parave dhe kërcënon të largohet, homologu i tij kinez Xi Jinping është çuditërisht bujar. Kina do të vërë në dispozicion 2 miliardë dollarë ndihmë për vendet më të varfra në zhvillim gjatë dy viteve të ardhshme, premtoi Xi në një mesazh me video. Për krahasim: kontributi vjetor i SHBA në OBSH është rreth 500 milionë dollarë. Përveç kësaj, kreu i PK premtoi se do t'i ofrojë si një " vlerë publike globale" vaksinat kundër virusit Corona, të zhvilluara dhe të çertifikuara nga Kina.

Sisteme të shumta shëndetësore në botë, veçanërisht në vendet e pazhvilluara të Afrikës, janë të mbingarkuara nga nivelet jashtëzakonisht të larta të infektimit dhe varen nga ndihma ndërkombëtare. Ndihmë që duhet të vijë shpejt tani. Janë pikërisht këto vende që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndihmës bujare nga "Mbretëria e Mesit".

Nga ana tjetër, e gjithë kjo përshtatet në master planin e Kinës për të vazhduar punën në krye të rendit botëror. Sepse aty ku SHBA zvogëlon bashkëpunimin ndërkombëtar - për shembull në institucione të ndryshme të OKB-së - dhe lë një boshllëk, Kina hyn fuqishëm financiarisht dhe kështu fiton më shumë peshë gjeopolitike.

Qëllimi i deklaruar i Pekinit është të krijojë një aleancë midis vendeve në zhvillim në mënyrë që ata të bëhen të pavarur ekonomikisht dhe politikisht nga fuqitë e mëparshme koloniale dhe të hapin rrugë të reja. Kjo në një kohë kur ky vend autoritar përpiqet për hegjemoni vetë, të cilën Pekini, natyrisht, nuk e pranon asnjëherë.

Kina ndihmon pa parakushte politike siç janë qeverisja e mirë ose të ngjashme. Pekini po financon projekte të mëdha infrastrukturore si pjesë e Iniciativës së tij të Rrugës së Mëndafshit, e cila përfshin gjysmën e globit nga Kina përmes ngushticës së Gjibraltarit deri në Paqësorin e Jugut. Nga njëra anë, regjimi i kuq siguron lëndë të parë strategjike të rëndësishme në Afrikë për të plotësuar dëshirat e ekonomisë së vendit, nga ana tjetër hap tregje të reja për produktet e tij - aktualisht veçanërisht fort në Evropën Lindore dhe Juglindore.

Për shkak të ngarkesës së madhe të borxhit të vendeve pranuese, po rritet edhe varësia politike nga Kina. Nëse një qeveri ka perspektivën e rizgjedhjes ose a do të mbetet një diktator në karrigen e pushtetit, kjo tani mund të varet nga një vendim i vetëm në selinë e PKK. Pekini zgjedh në vende të tilla si udhëheqës politikanë që janë të përshtatshëm për të.

Shtetet e Bashkuara nuk duan të heqin dorë pa rezistencë në luftën e sistemeve. Tajvanin, zyrtarisht Republikë e Kinës, ata po e përdorin si mashë në WHO - një demokraci me 23 milion njerëz, e cila, megjithatë, nuk lejohet të jetë anëtare e OKB-së për shkak të pretendimit të Republikës Popullore se ekziston Një Kinë. Edhe përpjekja për të marrë statusin e vëzhgimit në OBSH dështon për shkak të rezistencës së Kinës.

Qeveria kritike ndaj Kinës në Tajvan e luftoi krizën në një mënyrë shembullore dhe po merr lavdërime me të drejtë për këtë. Por do të ishte një konkluzion i gabuar që të thuash se në krahasim me qeveritë autoritare të gjitha demokracitë janë më të afta të përballen me krizën e Coronas. Ja si bëri një gabim fillestari Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo: Kur e vlerësoi Tajvanin, ai për fat të keq harroi që është pikërisht në vendin e tij - model për të gjitha demokracitë në botë - ku gjithçka po del nga kontrolli për shkak të krizës së Corona-s.

Por është gjithashtu e pandershme kur propaganda kineze pretendon se modeli kinez është më i mirë se çdo demokraci. Njerëzit nuk gëzojnë të drejtë vetëm të kenë shëndet dhe integritet fizik. Të drejtat e pandashme të njeriut, njerëzore janë po aq thelbësore sa e drejta për lirinë e ushtrimit të fesë dhe lirinë e shprehjes. Dhe prej këtyre Kina është ende vite dritë larg.