Hapen Apolonia dhe Memoriali i Skënderbeut, por mungojnë vizitorët

Hapen Apolonia dhe Memoriali i Skënderbeut, por mungojnë vizitorët

Sajtet e njohura historike në vend, si parku arkeologjik i Apolonisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë janë rihapur pas izolimit dymujor, por vizitorët ende nuk janë kthyer. Situata duket e vështirë, së paku deri në hapjen e kufijve.

Vendvarrimi i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit në qytetin e Lezhës, hapi dyert këtë javë, por këtij sajti të njohur historik i mungojnë vizitorët. Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore “Duke qenë se Tirana nuk është kthyer zonë e gjelbër, as Shkodra jo nuk ka lëvizje. Po kështu shkollat janë të mbyllura, pasi numri më i madh i vizitorëve përbëhet nga nxënësit dhe studentët është e pamundur … Po kështu ndikon mbyllja e kufijve”.

Sipas Përgjegjësit të Trashëgimisë Kulturore në 2019-tën memoriali i Skënderbeut është vizituar nga rreth 30 mijë vizitorë. Ndërsa pritshmëritë këtë vit janë të ulëta. “Fluksi zakonisht nis në Maj e deri në Shtator, por për shkak të situatës kam frike se nuk do kemi as 1/3 e vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara”.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kalanë mesjetare të qytetit të Lezhës si dhe muzeun etnografik. Që nga 18 Maji Parku Arkeologjik i Apolonisë në Fier, është i hapur për vizitorët. Specialisti i këtij parku, Admir Xhelaj shprehet se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një fluks të madh vizitorësh vendas e huaj.

“Numri gjatë këtyre dy ditëve ka qenë minimal por presim me lehtësimin e masave dhe hapjen e kufijve muajin tjeter që të shtohen vizitorët” tha ai.

Sa i përket hapjes së mozaikut arkeologu thotë se vendimi do të merret nëse do të shtohen vizitorët.  “Ne këtë vit kishim menduar të hapim e mozaikët në sektorin G, pranë Manastirit por kjo do shihet në bazë të vizitueshmërisë”. Xhelaj gjithashtu shprehet se janë marrë të gjitha masat anti-covid, jo vetëm në muze por edhe në ambientet e jashtme. /Shqiptarja.com