Hamiti: Agjërimi pranohet edhe nëse nuk mund të falet Bajrami
Për herë të parë në këto dy dekada, besimtarët myslimanë po e kremtojnë Fiter Bajramin duke mos pasur mundësi të falen nëpër xhami shkaku i pandemisë, por profesori i Studimeve Islam, Xhabir Hamiti thotë se kjo po ndodh në shumë vende.
"Nuk janë vetëm besimtarët e Kosovës ata të cilët këtë vit nuk do të mund ta falin namazin e tyre të Bajramit në vende publike dhe në mënyrë kolektive, sepse edhe shumë vende të tjera të botës kanë marrë një vendim të tillë, përfshirë edhe qendrat dhe autoritetet më të larta fetare në botë. Një besimtar me arsyen e tij të shëndoshë e kupton se kjo ka ndodhur dhe po ndodh për shkak të një gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila është vlerësuar si e tillë nga ekspertët profesionalë të shëndetësisë, të cilët thonë se tubimi i një numri të madh brenda një hapësire të kufizuar ende mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, dhe kjo jo për qejfin e tyre, por për shkak të prezencës së mëtutjeshme aktive të virusit vdekjeprurës, i cili po besohet se ende nuk është zhdukur përfundimisht nga mesi ynë e as nga pjesët tjera të botës. Prandaj, një qytetar besimtar gjatë ditës së Bajramit duhet të ndihet i qetë, i gëzueshëm për plotësimin dhe përfundimin e agjërimit, i hareshëm me familjen e tij të ngushtë dhe të gjerë, të drekojë shijshëm me ushqimin dhe ëmbëlsirat e Bajramit, t’ua urojë edhe të tjerëve festën e Bajramit, duke e lutur Zotin njëkohësisht që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të gjithë t’i kthehemi përditshmërisë normale në të gjitha fushat e jetës dhe jo vetëm në atë fetare. Mosfalja e Bajramit në kushte të jashtëzakonshme, sipas të gjitha mësimeve fetare, në asnjë mënyrë nuk nënkupton edhe mospranimin e agjërimit të muajit të Ramazanit", ka thënë prof. Hamiti për Express.























