Quni: S’ka kufizime, Ushtria e Kosovës shkon në veri
Lajme

Quni: S’ka kufizime, Ushtria e Kosovës shkon në veri

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, në një intervistë për Front Online, ka folur për punën që është bërë në këtë Ministri që nga marrja e mandatit nga ish-ministri Rrustem Berisha që tani mban pozitën e këshilltarit të ministrit Quni.

Ai thotë se proceset në këtë Ministri po vazhdojnë me dinamikën e njëjtë, dhe se e ka më lehtë që para tij këtë ministri e ka udhëhequr bashkëluftëtari i Koshares, Rrustem Berisha.

Ministri Quni thotë se për shumë vjet e ka përcjellur punën në këtë dikaster, në disa raste duke qenë edhe pjesë e proceseve të rëndësishme, dhe kjo i ka ndihmuar që të mos ketë vështirësi në përgjegjësitë që ka marrë.

“Unë kam pasë fatin e mirë që si deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Komisioneve të ndryshme për Mbikëqyrjen e Sektorit të Sigurisë, kam qenë i afërt me të gjitha proceset dhe zhvillimet brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu që kam qenë mjaft i familjarizuar me misionin, me detyrat dhe vështirësitë e tjera. Unë kam pranuar detyrën nga një bashkëluftëtarë i imi me të cilin kemi qenë s’bashku në Betejën e Koshares dhe kemi punuar bashkë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në Forcat e Sigurisë së Kosovën, me z.Rrustem Berishën”, tha ai në një intervistë për Front Online.

E, duke folur për vendimet e punën që është bërë në këtë Ministri, Quni thotë se janë ndërtuar objektivat për vitin 2020 dhe 2021.

Quni: Ushtria e Kosovës me kapacitete të plota në vitin 2027

Thotë se po punojnë bashkë me akterët e tjerë relevantë që në vitin 2027 të përmbyllet plani për tranzicionin e FSK-së në Ushtri.

“Në bazë të këtij plani janë ndërtuar objektivat për vitin 2020 dhe 2021. Unë thjeshtë vazhdojë që t’i përmbahemi të gjithë atyre afateve kohore që janë planifikuar edhe më herët. Gjërat kur vendosen në letër duken shumë më lehtë, por kur vjen koha e materializimit të gjithë atyre planifikimeve dalin edhe disa të panjohura, kështu që në bashkëpunim me Kabinetin, Ministrinë dhe Komandantin e FSK-së, gjithnjë gjejmë alternativat, opsionet, që në vitin 2027 ashtu siç është e planifikuar me planin e tranzicionit, ne t’i ngrisim kapacitetet e plota të FSK-së”, tha ai për Front Online.

 Ministri i Mbrojtjes tregon për numrin e ushtarëve të infektuar nga Coronavirusi

Pandemia me Covid-19 ka prekur edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Nga gjashtë të infektuar me Coronavirus, 5 në FSK dhe një në Ministri, tani më janë shëruar të gjithë.

Këtë e ka thënë për Front Online, Ministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes, Anton Quni.

“Brenda Ministrisë ne e kemi pasur vetëm një zyrtarë të infektuar, kurse brena njësive operacionale gjithsej kemi pasur 5 të infektuar, që tani të gjithë janë shëruar”, tha ai për Front Online.

Quni ka treguar se si u menaxhuar situata me Covid-19  derisa thotë se që nga momenti kur është kuptuar rrezikshmëria e këtij virusi , ata kanë qenë në gatishmëri për t’u dalë në ndihmë autoriteteve civile.

“Nga momenti kur kemi kuptuar rrezikun që paraqet Covid-19, ende pa u ndërmarrë masat nga Autoritetet e Qeverisë dhe personalitetet e thirrura për këtë çështje, ne e kemi pasë si informatë dhe është në natyrën e armatave, ushtrive që t’i ndërmarrin masat preventive, së paku ato paralajmëruese. Në momentin kur Qeveria ka vendosur që në nivel të Kosovës të menaxhohet kjo situatë, ne kemi qenë të gatshëm t’i përgjigjemi situatës. Ne kemi ndërmarrë masat për mbrojtjen e personalit që në të ardhmen të jenë të gatshëm t’u asistojnë autoriteteve civile, ka qenë shumë esenciale ta ruajmë shëndetin e të gjithë pjesëtareve të FSK-së dhe zyrtarëve të Ministrisë”, tha ai për Front Online.

Quni tregon se si Serbia po mundohet t’i rekrutojë pjesëtarët serbë të FSK-së

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të nacionalitetit serb po përballen me kërcënime e shantazhe nga autoritetet e Serbisë, krejt kjo për ta lënë detyrën.

Ata në disa raste po përjetojnë edhe dhunë fizike, kur nuk iu binden autoriteteve serbe.

Kështu po thotë për Front Online, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni.

Në disa raste ka tendenca edhe për bashkëpunim me autoritetet serbe për të nxjerrë informata rreth angazhimeve në FSK.

“ Presionet vazhdojnë, ato janë të pandërprera. Çdo pjesëtarë i yni që kalon kufijtë e Kosovës dhe kalon në territorin e Serbisë, tani ata e kanë procedurë që menjëherë t’i ndalojnë, i marrin në pyetje. Mundohen me nxjerrë informata rreth angazhimeve tona. Ka raste kur edhe i ngarkojnë me detyra specifike, mundohen t’i rekrutojnë si bashkëpunëtorë. Por, janë edhe raste që shkojnë në ekstrem kur edhe fizikisht i kërcënojnë, kur ata mendojnë që pjesëtarët e FSK-së të nacionalitetit serb nuk po i binden autoriteteve serbe”, tha ai për Front Online.

Quni tha se janë duke e menaxhuar edhe këtë situatë, dhe i kanë ndërmarrë të gjitha masat që pjesëtarët e FSK-së të nacionalitetit serb të ndjehen sa më të sigurt në shërbim./Front Online/

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni në një intervistë  për “Front Online”, nuk ka treguar se sa pjesëtarë të nacionalitetit serb i shërbejnë Forceës së Sigurisë së Kosovës. Poashtu këtë çështje ai e ka mbajtur në diskrecion edhe kur është pyetur se sa pjesëtarë të këtij komuniteti janë larguar nga FSK-ja pas presioneve nga autoritetet serbe.

“Tani kjo çështje ndahet në diskrecion, pasi që është çështje sensitive. Nga arsyeja që pjesëtarët e komunitetit serb të ndjehen sa më të sigurt. Edhe kjo është një çështje që ne e ndajmë në konfidencë. Gjithnjë është do të thotë lidhje me sigurinë e pjesëtareve të FSK-së të komunitetit serb. Do të thotë mos insistoni që të flasim me numra. Arsyeja është që ne atyre tu ofrojmë siguri më të lartë”, ka thënë ndër të tjera Quni.

Komunitetet, interesim të madh për ta veshur uniformën e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni në një intervistë për “Front Online”, ka theksuar se FSK-ja nuk ka kufizime për shkuarje në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se në bashkëpunim me autoritetet e NATO-së dhe të KFOR-it, janë të gatshëm që çdoherë të zhvillojnë aktivitete për nevojat e komunitetit dhe jo që të shkaktojnë incidente në këtë pjesë të vendit.

“Ne nuk kemi kufizime. Do të thotë me autoritetet e NATO-së, me autoritetet e KFOR-it gjithnjë e kemi deklaruar që në çdo kohë dhe në çdo pjesë të Kosovës, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë aktivitete, kur komunitet kanë nevojë për shërbime tona. Por assesi ne nuk do të demonstrojmë me forcë apo të shkaktojmë ndonjë incident, e cila pastaj do të shërbej për çështje të ndryshme politike”, ka thënë Quni për “Front Online”.

Poashtu Quni ka theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me njësitet që operojnë në këtë pjesë.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm. Ne kemi edhe njësitë që  për shembull po e marr njësitë e OED-es që sipas planit të angazhimit ditor, operojmë në bashkëpunim edhe me organizatat e tjera. Kemi njësitë që janë posaçërisht të siguruar për komunitetet pakicë, për sensibilizimin kur është periudha e rekrutimit për pjesëtarë të rinjë të FSK-së. Do të thotë jemi në kontakte të vazhdueshme”, ka thënë tutje Quni për “Front Online”. 

Ndërsa për sa i përket interesimit të komuniteteve për të shërbyer në uniformë, ministri i Mbrojtjes theksoi se ka interesim të madh, por edhe kërcënime ndaj tyre, duke veçuar kështu kërcnimet e autoriteteve serbe ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.

“ Është një interesim i madh i të gjitha komuniteteve që të shërbejnë në uniformë. Por do të thotë një ndër sfidat kryesore është që të gjithë komuniteteve e posaçërisht atij serb, i bëhet një shantazh i madh nga autoritet e Serbisë”, ka thënë ai.

Quni flet për planet e së ardhmes: FSK-ja do të ketë forca ajrore dhe flotë të helikopterëve

Forca e Sigurisë së Kosovës, në një të ardhme pritet të bëhet edhe me forca ajrore. Kështu ka deklaruar ministri në detyrë i  Mbrojtjes, Anton Quni në një intervistë për “Front Online”.

“Në perspektivë ne planifikojmë që në kuadër të FSK-së të kemi edhe forcat ajrore me disa qëllime të ndryshme, filluar nga ato për kërkim-shpëtim, komandim, observim të territorit, transport e të tjera. Normal është e planifikuar që të kemi edhe flotën e helikopterëve”, ka thënë Quni për “Front Online”.

E për koston buxhetore që i duhet këtij projekti është i vetë dijshëm edhe ministri i Mbrojtjes. Por ai shpreson se me ndihmën e partnerëve strategjik një gjë e tillë do të realizohet.

“Duke marr parasysh të gjitha parametrat, faktorët, natyrisht që determinues i kësaj çështje është edhe buxheti. Është një projekt i kushtueshëm por falë gatishmërisë dhe vullnetit të partnerëve strategjik ne kemi arritur deri tani t`i aftësojmë kuadrot, do të thotë, pilotët. Jemi në bashkëbisedim me disa shtete të cilat në pako do ta trajtojnë këtë çështje filluar nga trajnimi i personelit, sigurimi i helikopterëve, mirëmbajtja e tyre e të tjera. Do të thotë në prospektivë edhe eskadrila e helikopterëve do të jetë pjesë e FSK-së”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në anë tjetër i pyetur se a ka buxhet të mjaftueshëm për procesin e tranzicionit, ai ka pohuar se është një çështje që po trajtohet nga ekspertët, teksa ka shtuar që në këtë proces do të ndihmojë edhe Turqia me Shqipërinë.

“Kjo çështje më shumë është që e trajtojnë ekspertët. Ka opsione dhe alternativa të ndryshme. Është një projekt në evoluim. Ne kryesisht për këto çështje diskutojmë dhe bashkëpunojmë me autoritetet ushtarake të SHBA-ve. Poashtu me autoritete ushtarake të Turqisë. Tani po ju tregoj që për të mbajtur të drejtën e certifikimit dhe për të qenë pilot, pilotët tanë i dërgojmë në Shqipëri për t`i kryer orët kondicionalë. Do të thotë në mundësi të ndryshme”, ka thënë ai për “Front Online”.

Ministri i Mbrojtjes: Kemi planifikuar koston buxhetore për transformim

Viti 2027, pritet të jetë viti kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në ushtri të plotë. Kjo pasi që ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni në një intervistë për “Front Online”, theksoi se në po këtë vit, do të përfundoj në tërësi procesi i tranzicionit të FSK-së.

“Ne jemi në vitin e dytë të tranzicionit. Viti përfundimtar kur duhet të deklarohemi me kapacitete përfundimtare, do të thotë validiteti i njësive  të ndryshme, ngritja e njësive të ndryshme, rritja e kapaciteteve operacioneve tjera, ne kemi paraparë vitin 2027. Këto certifikata, validime do të bëhen nga Njësitë e Specializuara nga SHBA-të për fushat e ndryshme. Do të thotë është e paraparë kur bëhet validiteti i një kompanie, një regjimenti apo i një specializimi në fusha të ndryshme”, ka thënë ai për “Front Online”.

Zotimet e qeverisë për mbështetje financiare, kanë bërë që Quni të jetë i bindur që viti 2027, do ta gjej FSK-në si një forcë kredibile e cila sipas tij do të jetë në gjendje t`i kryej të gjitha detyrat.

“Për të gjitha këto procese, zhvillime në kuadër të tranzicionit natyrisht që është paraparë edhe kostoja buxhetore. Ne i kemi zotimet e qeverisë që do të kemi përkrahjen e vazhdueshme por edhe kërkesat tona janë të balancuara duke pasur parasysh edhe mundësitë tona buxhetore. Jam mëse i bindur që në vitin 2027 do të thotë si forcë ushtarake do të jetë në një forcë kredibile e cila në bazë të misionit do të jetë në gjendje që t`i përmbush të gjitha detyrat”, ka thënë ndër të tjera ai.

Quni: Interes nacional i Kosovës prezenca e trupave amerikane

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni në një intervistë për “Front Online”, ka thënë që prezenca ushtarake e ushtrisë së ShBA-ve, në Kosovë është në interes nacional.

Sipas tij, kjo duhet të jetë në bashkëpunim edhe me autoritetet e tjerë që veprojnë në Kosovë.

“Një ndër faktorët e sigurisë, stabilitetit, paqes është edhe prezenca ushtarake ndërkombëtare në veçanti prezenca e ushtrisë së SHBA-ve. Do të thotë është në interes tonin, dhe në interes të sigurisë nacionale që ato të jenë prezent këtu, por jo vetëm të jenë prezent fizikisht por natyrisht edhe në bashkëpunim me të gjithë akterët dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, me një koordinim të mirë, t`u ofrojmë të gjithë qytetarëve siguri por edhe të japim mesazhin që të gjithë ne këtu jemi faktorë për siguri, pa rrezikuar asnjë komunitet dhe gjithnjë me atë mesazhin që ne nuk kemi pretendime territoriale jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë ai, për “Front Online”.

 


MË SHUME NGA Lajme