Pandemia Covid-19, ka sfiduar edhe sistemin e drejtësisë kosovare
Pajtim Çuni
Pandemia Covid-19 përveç tjerash ka sfiduar edhe sistemin e drejtësisë kosovare. Gjatë kohës së pandemisë kanë mbetur një numër i madh lëndëve të pazgjidhura, ndonëse gjykatat kanë punuar e vazhdojnë të punojnë me kapacitete të reduktuara.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se po presin rekomandimet Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, para se t’iu kthehen normalisht punës.
Megjithë lehtësimin e masave antikovid, gjykatat kosovare po vazhdojnë të punojnë me kapacitete të reduktuara. Që nga mesi i marsit, kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi që gjykatat të mbyllen për publikun e të trajtojnë vetëm rastet urgjente, në gjykata kanë mbetur shumë lëndë pa u zgjidhur. Zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj tregon për Radio Kosovën disa nga rezultatet e punës gjatë pandemisë.
“Puna e Gjykatave me kapacitete të reduktuara gjate pandemisë, natyrisht se ka rritur numrin e lëndëve. Për shkak të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve ka rënë numri i lëndëve të reja. Ka rënë numri i veprave penale dhe lëndët që kanë qenë në procedurë të rregullt dhe rasteve me paraburgime nuk janë mbajtur”, tha ajo.
Pas mbylljes së gjykatave dhe reduktimit të kapaciteteve punuese, nga 15 marsi e deri në fund të prillit, në të gjitha Gjykatat Themelore të vendit janë pranuar 461 lëndë të reja dhe që janë zgjidhur 1059 lëndë, thotë zëdhënësja e KGJK-se Aishe Qorraj, e cila thotë se për hapjen e plotë të gjykatave po presin rekomandimet e institucioneve kompetente.
“Tash krejt varet se çfarë vendimi do të ndërmerr Ministria e Shëndetësisë, edhe pastaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës për tërë sistemin e drejtësisë do të ndërmerr vendim. Lirisht mundem me thënë se kryesuesi i KGJK-së dhe kryetarët e gjykatave kanë dalë cdo ditë në punë për të harmonizuar punën në raport me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Ata janë të gatshëm që të fillojnë punën dhe po presin vendimet e IKSHPK-së”, tha ajo.
Prej se gjykatat janë mbyllur për publikun, për shkak të koronavirusit, janë trajtuar vetëm rastet emergjente, paraburgimet dhe dhuna në familje. Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje. Nga 15 marsi deri më 15 maj, sipas zëdhënëses së KGJK-së, gjykatat e Kosovës kanë trajtuar 132 raste penale e civile, që ndërlidhen me dhunën në familje.























