Sallamet dhe proshutat, rreziku i fshehur i përbërësve artificial
Sharr Travel

Sallamet dhe proshutat, rreziku i fshehur i përbërësve artificial

Mishrat e përpunuar prej kohësh janë konsideruar si të dëmshëm për organizmin.

Madje ato janë cilësuar si shkaktarë të sëmundjeve të ndryshme, përfshirë edhe ato kancerogjene.

Dëmet e shkaktuara nga këto produkte i atribuohen kimikateve jo natyrale që përzihen me mishin e freskët për t’i dhënë atij një jetëgjatësi më të madhe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se konsumi i 50 gramëve mish të përpunuar në ditë rrit rrezikun afatgjatë të kancerit të zorrës së trashë me 18 përqind.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mishrat e përpunuar bëjnë pjesë në kategorinë e 120 produkteve kancerogjene.

Këtu përfshihet alkoli, asbesti dhe duhani.

Substancat e dëmshme që gjenden tek mishrat e përpunuar

Një nga problemet më madhore për shëndetin që vijnë nga konsumi i këtyre mishrave janë substancat kimike që ruajnë ngjyrën, cilësinë dhe aromën e mishit.

Një prej këtyre substancave është nitrat sodiumi që përdoret gjërësisht tek proshuta, sallamet, salçicet e të tjerë.

Nitrat sodiumi dhe nënproduktet e tij – nitratet dhe oksidi nitrik- janë praktikisht një lloj kripe që gjendet edhe tek perimet.

Por nëse sasia e konsumuar e këtyre kripërave është shumë e rrezikshme për shëndetin e zemrës dhe jo vetëm.

Substancat kimike shtohen në përpunimin e mishit për 5 arsye:

Për të ruajtur ngjyrën e kuqe ose rozë të tij,

Për të vënë nën kontroll oksidimin e dhjamit tek mishi.

Për të parandaluar rritjen e baktereve,

Për të përmirësuar shijen dhe aromën,

Për të parandaluar rrezikun e helmimit nga mishi.

Nitrat sodiumi besohet të dëmtojë enët e gjakut, t’i ngurtësojë ato dhe të vështirësojë qarkullimin e gjakut në zemër.

Kjo substancë mundet të ndikojë edhe në aftësinë e trupit për përdorimin e sheqerit gjë që rrit gjasat e shfaqjes së diabetit.

Nga ana tjetër, kur këto substanca bien në kontakt me mishin dhe temperaturat e larta, ato transformohen në nitrosamine, përbërës kimikë që gjenden në disa burime.

Këtu përfshihet edhe duhani apo uji i ndotur.

Nitrosaminat luajnë një rol kryesor në shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë./agroweb