Trupat e të vdekurve në minierën e Artanës nuk janë nxjerrë ende
Që nga paraditja është duke vazhduar misioni për nxjerrjen e trupave të dy punëtorëve të minierës së Artanës, që sot gjatë ditës kanë ndërruar jetë në rrethana tragjike.
Hysen Vrajolli, u.d. i kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës, ka deklaruar se janë duke bërë ende përpjekje për nxjerrjen e trupave.
“Jemi duke u bë përpjekje, presim që shumë shpejtë që kjo të kryhet, tjerë të lënduar dhe të ngujuar në minierë nuk kemi”, ka thënë ai.
I njëjti thotë se është një shkëmb i madh që duhet të thehet, por, fillimisht po tentojnë të sigurojnë vendpunishten, njofton Gazeta Express.
“Do të nxirren, nuk e di për sa orë, ekipet po e bëjnë të pamundurën, është një shkëmb mjaft i madh që duhet të thehet, duhet të sigurohet më së pari vendpunishtja, për disa orë do të nxjerren, nuk e dimë saktë”, shtoi ai.
Vrajolli ka bërë të ditur se momentalisht në misionin e kërkimit janë të angazhuar ekipet e shpëtimit të minierës dhe FSK-ja.
“Situata ka ndodhë paradite, është shemb papritmas një pjesë. Gjendja e minatorëve të tjerë është e mirë, s’kanë pasur lëndime dhe s’kanë asnjë problem”, ka thënë ai.























