Ilaçet kundër hipertensionit dhe rreziku i ekspozimit në diell
Sharr Travel

Ilaçet kundër hipertensionit dhe rreziku i ekspozimit në diell

Ky artikull përmban informacione të rëndësishme për njerëzit që përdorin medikamente kundër tensionit të lartë të gjakut, të cilët tani me ngrohjen e temperaturave duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

Arsyeja? Medikamente të caktuara e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit.

Dielli, kujdesi që duhet të tregojnë njerëzit që vuajnë nga hipertensioni

Hipertensioni është një faktor madhor rreziku për sëmundje më të rrezikshme të zemrës.

Për shkak të tij, zemra sforcohet shumë dhe enët e gjakut dobësohen ndjeshëm.

Medikamentet kundër tensionit të lartë të gjakut ndahen në 9 kategori që shënjestrojnë probleme të ndryshme shëndetësore që shfaqen si pasojë e hipertensionit ose efektet anësore të tij.

Tre nga ilaçet më të përdorura janë:

Beta Blockers- ilaçe me ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e tensionit që bllokojnë adrenalinën dhe ulin rrahjet e zemrës në mënyrë të ngadaltë dhe jo të fuqishme.

Vasodilatorët që jepen për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kanë si funksion zgjerimin e enëve të gjakut për të lehtësuar qarkullimin e tij.

Diuretikët, ilaçe që nxisin shkarkimin nga trupi të kripës dhe ujit të tepërt.

Të treja këto ilaçe shkaktojnë ndjeshmëri të lartë të lëkurës gjatë ekspozimit në diell.

Kjo do të thotë se një person që merr barna të tilla, duhet të tregojë shumë kujdes gjatë stinës së verës dhe të mbrohet sepse lëkura mund të digjet më shpejt dhe të mbushet me puçrra, njolla të kuqe etj.

Dozat e barnave

Sa më të larta të jenë dozat e barnave dhe sa më i gjatë në kohë të jetë ekspozimi në diell, aq më të mëdha janë rreziqet që i kanosen lëkurës, thonë ekspertët.

Kjo ndodh sepse këto barna e shtyjnë lëkurën të përthithë më shumë rreze ultravjollcë të dëmshme dhe të ndërveprojnë me radikalet e lira që formohen në trup si pasojë e ekspozimit afat-gjatë në diell.

Ekspertët këshillojnë shmangien e ekspozimit në diell sidomos nga ora 10 e paradites deri në orën 16:00 të pasdites kur rrezet e diellit janë më të forta.

Ju duhet të mbani veshur rroba të lehta, pambuku, kapele, syze dhe mbi të gjitha krem dielli me faktor të lartë mbrojtës që duhet riaplikuar disa herë gjatë ditës.

Njerëzit që marrin barna të tilla duhet të shmangin edhe seancat estetike për nxirje./agroweb