Llojet e pazakonta të vajit për gatim, si t’i përdorni
Sharr Travel

Llojet e pazakonta të vajit për gatim, si t’i përdorni

Vaji që përdoret në gatim është gurthemeli i një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Vaji është i pari që nis e formon shijen e një vakti dhe i fundit që përdoret për të kompletuar shijen e gatimit.

Mjafton një ‘shëtitje’ në supermarket dhe kupton që ofertat janë të larmishme si në rastin e vajit të misrit, lulediellit apo të vajit të ullirit.

Megjithatë jo të gjithë e tolerojnë temperaturën dhe nxehtësinë.

Nëse vaji nuk e toleron nxehtësinë atëherë nuk mund të gatuash me të sepse përveç se humbet vlerat, bëhet armik i shëndetit.

Ka shumë ushqime që kërkojnë të gatuhen me një lloj vaji ose yndyre të caktuar që ka një tolerancë të caktuar ndaj temperaturës.

Vaji ekstra i virgjër i ullirit rekomandohet në sallata duke qenë se ka tolerancë të ulët ndaj temperaturës.

Për kavërdisje dhe skuqje mund të përdorni vajin e lulediellit ose të misrit që tolerojnë temperatura të larta gatimi.

Në aspektin e kalorive, të gjitha vajrat janë të njëjtë (120 kalori për çdo lugë gjelle).

Por vajrat ndryshojnë në përbërjen e yndyrës.

Disa përmbajnë yndyrë të ngopur, polio ose mono-të pangopur.

Disa më shumë e disa më pak.

Yndyrnat e ngopura janë ato që rrisin nivelin e kolesterolit ndaj duhen shmangur,

Dy yndyrnat e pangopura janë të shëndetshme sepse i bëjnë mirë trurit dhe zemrës.

Vaji i avokados 

Vaji i avokados për shembull është i ngjashëm me vajin e ullirit por ka një tolerancë më të lartë ndaj temperaturës.

Rrjedhimisht, ky vaj i shëndetshëm dhe plot vlera detoksifikuese mund të përdoret për kavërdisje.

Vaji i arrës së kokosit

Vaji i arrës së kokosit përmban më shumë yndyrna të ngopura se gjalpi.

Ky vaj tropikal rrit nivelet e kolesterolit të mirë por edhe atij të keq dhe rrjedhimisht rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Mos tregoheni dorëlëshuar me këtë vaj në gatim.

Vaji i susamit

Vaji i susamit ka një tolerancë të lartë ndaj nxehtësisë dhe përmban sasi të barabarta të yndyrnave mono dhe polio-të-pangopura.

Ai rekomandohet në përmirësimin e niveleve të kolesterolit dhe tensionit të gjakut.

Këtë vaj mund ta gjeni në dy lloje: me ngjyrë të çelët dhe të errët. Shija e tij është e ngjashme me atë të arrorëve.

Vaji i arrave 

Vaji i arrave ka gjithashtu një tolerancë të lartë ndaj temperaturës dhe është i pasur me yndyrna polio-të-pangopura.

Është nga të paktat vajra që ofron acide yndyrore omega-3.

Ky vaj përmirëson nivelin e sheqerit në gjak dhe është shumë i shijshëm në makaronat me salca ose jo.

Vaji ka aq shumë pushtet në gatim.

Ai mund t’i japë gjellës vulën e cilësisë dhe shijes ose mund ta shkatërrojë atë.

Si në rastin e çdo përbërësi tjetër, cilësia është e para që duhet vënë re tek vaji./agroweb