Lamtumirë maestro - Përparim Tomçini
Sharr Travel

Lamtumirë maestro - Përparim Tomçini

Besart Galica

Pas një̈ sëmundjeje të gjatë, në moshën 65-vjeçare ka ndërruar jetë artisti i popullit, "Mjeshtri i madh", kompozitori shqiptar Përparim Tomçini. Vitin e kaluar kompozitori Tomçini që jetoi dhe veproi së fundmi në Tiranë, është nderuar nga presidenti i vendit me titullin "Mjeshtër i madh". Përparim Tomçini është kompozitor i këngës së njohur "Azem Galica" e interpretuar nga Arif Vladi.

Kompozitori i kësaj kënge të fuqishme, Përparim Tomçini nuk do të kompozoj më, pasi në mëngjesin e sotëm ndërroi jetë në moshën 65 vjeçare. I frymëzuar nga krijimtaria alegorike e Dibrës, nga gurra e pashtershme e folklorit dibran, ai ngriti në skenat artistike perla të muzikës shqiptare; vepra që shtrihen në gjini të ndryshme, si: Rapsodi për kor, Rapsodi për solist dhe orkestër, Suitë simfonike, Poemë simfonike, Elegji korale, Balada vokale, Këngë lirike dhe epike, deri të Tablotë koreografike.

Kompozitori i shquar shqiptar, Përparim Tomçini në korrik të vitit 2019, është nderuar me çmimin "Mjeshtër i merituar" nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Një bagazh i madh artistik që na frymëzoi pamatshëm, plot 40 vjet! Studiuesit e mëvonshëm do ta gjejnë: forcën, karakterin, mjeshtërinë, jetën e tij në krijimtarinë̈ e tij. Ndërsa ne, miqtë e tij, nuk do ta gjejmë më atë kompozitorin e këngëve me nektarin e “Nëntë Maleve”, nuk do ta gjejmë më atë mikpritësin zemër plotë, ngrohtësinë vëllazërore, çiltërsinë dhe argëtimin e pangjashëm, kur shtroheshin sofrat tona në Dibër, Tiranë e Prishtinë, ka shkruar artisti Ilir Shaqiri për Tomçinin.

Edhe mjeshtri i madh i këngës shqipe, Arif Vladi ka shkruar në Facebook, duke thënë se Përparim Tomçini u largua fizikisht, por i la kombit një pasuri të madhe artistike që do të rrojë me shekuj.

Përparim Tomçini, u lind me 11 nëntor, 1955, në Pollozhan të Dibrës. Shkollën fillore e kreu në Peshkopi, atë të mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të vazhduar me mësimet e larta në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Tiranë, dega Kompozicion.