Zemaj lehtëson masat, heq në tërësi kufizimin e lëvizjes
Sharr Travel

Zemaj lehtëson masat, heq në tërësi kufizimin e lëvizjes

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka prezantuar në një konferencë për media vendimet e reja kundër COIVD-19.

Sipas tij, nga 8 qershori, në Kosovë nuk do të vlejë më orari i kufizimit të lirisë së qytetarëve dhe automjeteve, siç ka qenë së fundi nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Gjithashtu, nga e hëna e javës së ardhshme të gjitha qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës, nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtatë ditor.

Ai tha se MSH-ja do të mundësojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave, në veçanti në raport me Shqipërinë, si dhe do të ketë liri të plotë të lëvizjes për studentët nga Lugina e Preshevës.

“Kontrollim i detajuar për udhëtarët që hyjnë në Kosovë duke marrë shënime të sakta, adresën, numrin e telefonit, etj; Kontroll i detajuar dhe marrje e temperaturës për të dyshuarit me COVID-19. Bazuar në rekomandime, prej ditës së hënë, qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor, por ata që hyjnë do të kontrollohen nga mjekët. Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve. Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në mëngjes”, tha Zemaj.

Ai tha se do të vazhdohet me përcjellje të situatës epidemiologjike, si dhe  me respektim të rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë.

“Kërkojmë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse, si mbajtja e maskave dhe mbajtja e distancës. Të gjitha lokalet t’i respektojnë këto masa, si dhe rekomandimet tjera. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të nënkuptojë rrezikim të shëndetit. Ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme. Pasi që jemi në verë, zbatimi i masave është i domosdoshëm për shkak të bashkatdhetarëve që mund të vijnë në Kosovë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm”, tha Zemaj në një konferencë për media.

Ndërkohë, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se institucionet shëndetësore në vend, aktualisht janë furnizuar mjaftueshëm me teste për COVID-19.

Sipas tij, në rast se paraqitet nevoja Ministria e Shëndetësisë do t’i kryej procedurat për furnizime të reja. 


MË SHUME NGA Aktuale