COVID-19 ka ndikuar negativisht në grumbullimin e të hyrave nga ATK-ja
Pajtim Çuni
Administrata Tatimore e Kosovës në pesëmujorin e parë të këtij viti ka inkasuar 22 milionë euro më pak se sa në priudhën e njejtë të vitit të kaluar. E shkak për këtë po del të jetë pandemia COVID-19, e cila sipas drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj, ka ndikuar edhe grumbullimin e tatimeve. Deri në fillim të pandemisë, ATK kishte realizuar të hyra mbi 10 përqind më shumë se sa në vitin 2019.
Pandemia Covid-19, përveç tjerash, negativisht ka ndikuar edhe në grumbullimin e të hyrave nga Administrata Tatimore e Kosovës. Drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, në një prononcim për Radio Kosovën, ka treguar se ATK, në pesëmujorin e parë të këtij viti, nuk ka arritur të përmbushë planin e saj të mbledhjes së tatimeve për mbi 40 milionë euro.
“Për periudhën janar-maj 2020, Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të inkasoj mbi 186 milionë euro. Nëse e krahasojmë me periudhën e njejtë të vitit 2019, kemi mbi 22 milionë euro të hyra më pak të inkasuara, ndërsa, nëse e krahasojmë me planin e këtij viti, kemi diku mbi 42 milionë euro të hyra më pak. Deri në fillim të pandemisë, më 18 mars, ATK ka qenë në trend pozitiv, duke realizuar të hyra për 11.2 përqind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2019”, tha ai.
Drejtori i ATK-së, Murtezaj thotë se në uljen e grumbullimit të të hyrave, si pasojë e pandemisë ka ndikuar vendimi i marrë për zgjedhjen e afateve të deklarimeve të pagësës së tatimeve. Murtezaj shton se, pandemia ka ndikuar edhe në mos përmbushjen e planit të fiskalizimit të bizneseve.
“Duke ditur se, pas fillimit të pandemisë është rënduar gjendja ekonomike në likuiditet dhe rentabilitet të bizneseve, gjatë kësaj periudhe Administrata Tatimore ka reduktuar në masë të theksuar të gjitha aktivitetet e rregullta. Këtu është përfshirë edhe çështja e fiskalizimit dhe kontrolleve të tjera të bizneseve, dhe këtë e kemi bërë në mënyrë që ne si shtet, në njëfarë forme mos të bëhemi pjesë e rëndesës që biznese të caktuara të falimentojnë ose edhe të mbyllen tërësisht”, tha ai.
I pari i Administratës Tatimore të Kosovës shtoi se gjatë kohës së pandemisë kishin mjaftë punë, meqë ishin të angazhuar edhe në ofrimin e shërbimeve për disa nga 15 masat e parapara në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë. Tash kur situata me pandeminë ka filluar të normalizohet, drejtori i ATK-së pohon se do të shtoj angazhimet në lidhje me kontrollet e rregullta, mbledhjen e borxheve dhe shtimin numrit të bizneseve të fiskalizuara.























