Politika e ka kapur veten e saj
Ballsor Hoxha
Pse tërë kjo politikë? Të gjitha këto fjalë të reja dhe rënie të tërë shoqërisë në hullinë e improvizimit të shtetit përmes këtyrefjalëve të reja? Mos po e improvizojmë një shtet të ri mbi shtetin e Kosovës?
Së pari ishte problemi i marrëveshjes me Serbinë, dialogu. Kjo gjë ndau tutje tërë sistemin shtetëror deri në zgjedhje të parakohëshme, në të vërtetë në të pastër përballë Serbisë dhe të korruptuar përballë Serbisë. Pastaj po e njëjta bashkoi të gjithë, një herë si përpjekje dhe marrëveshje e përbashkët e tërë politikës kosovare, për të vendosur fuqinë e fjalës dhe vendimit në marrëveshje. U vendos taksa. Pastaj taksa përjetoi atë që njihet si kimerë, shndërrimin e saj në të gjitha personalizimet dhe individualizimet përçarëse. U nda tutje në çdo fjalë, nocion dhe shpjegim të mundshëm individual dhe personal. Pastaj ajo kaloi në një ndarje të re: në reciprocitet. Po ashtu duke u ndarë tutje në individualizime politike edhe më tutje. Më në fund duket se është vendosur zgjidhja e saj. Por ajo morri një popull të tërë peng në politizim dhe ankth të dezintegrimit të shtetit. Dhe aq më shumë krijoi përçarje të thellë që paralajmërojnë edhe mundësi të gjakderdhjes dhe të përçarjes edhe me gjakderdhje, në të ardhmen e afërt.
Është çorodi, jemi populli më i politizuar, derisa politika është në distancën më të madhe të mundshme prej nesh. Jo se qeveritë“Mujore” nuk e duan shoqërinë, apo se opozita është kundër shoqërisë, por sepse politika këtu është politikë për politikanët ndaj njëri tjetrit, jo për shoqërinë, vendin e popullin.
Politika në këtë, e shkëputur nga shoqëria, është nën ethet e pragut të ndryshimit qoftë themelor shtetëror, qoftë të përhershëm shtetëror, sidomos në raport me Serbinë. Marrëveshjen me Serbinë. Politika, është – e kapur nga vetja – dhe nuk di si të lirohet nga vetja, apo thënë më saktë: nuk ka kush ta liroj nga vetja. Ethet e pragut të ndryshimit, nuk do të thonë vetëm marrëveshja historike, ajo është zinxhiri i të gjitha ndryshimeve që mund apo do të pasojnë, i rrugëve që mund apo do të hapen, i mundësisë apo hapjes së prosperitetit si mundësi.
Por pikërisht këtu është problemi. Nuk ka të bëjë vetëm me kapitalizimin e hapjes së mundësisë, udhërrëfimit të mundësisë, përcjelljes së proceseve, përcjelljes së vetë ndryshimit. Problemi është tek historia. Kapitalizimi i historisë.
Ethet e politikës së mbyllur në qarkun vicioz të narcisizmit të saj, politika, është para pragut të një historie të re, hapjes së mundësisë, megjithëse ajo mundësi është krejtësisht e dukshme në rastin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë.
Të gjitha nocionet politike aktuale në Kosovë, bashkë, si reciprociteti, taksa, “grenellizimi” i marrëdhënies me Amerikën dhe me botën, përkrahëse ndaj nesh, etj, janë fjalë që në vete fshehin ideologjinë e kapjes, e marrjes së pushtetit mbi historinë. Në të vërtetë për çdo muaj tanimë, gjërat janë aq të pakthyeshme para pragut të ndodhjes së historisë, kemi një fjalë të re përmes të cilës historia është më afër, më e prekshme, për t’u personalizuar.
Ideologjia e pushteteve/pushtetit politik në këto fjalë që i dëgjojmë me mijëra herë në ditë, janë në të vërtetë improvizimi i shtetit, improvizimi i – themelimit – të shtetit të Kosovës. Dhe pikërisht përçarja, personalizimi, viktimizimi dhe individualizimi i themelimit të shtetit, është shpërfaqja e ideologjive të marrjes së historisë, emrit të historisë dhe të të ardhmes. Janë vetë loja, jo mishërimi me shtetin dhe themelimin e tij.
Nocionet politike në fjalë, që filluan menjëherë pas hapjes së mundësisë për ndryshim, janë zbuluar për të shpikur shtetin, dhe themelimin e tij. Improvizimi, në të vërtetë zbulimi i shtetit, derisa shteti i Kosovës ekziston që nga 2008. Në të vërtetë zbulimi i shtetit në këto nocione janë ankthi për histori, ethet për histori, janë ikja nga përgjegjësia ndaj shtetit.
SI ndodh kjo: fjala reciprocitet, si shembull, fshehë ideologjinë e progresit, progresit të premtuar, si fjalë dhe si ajo që bartë ky kuptim – fuqinë (e barabartë me tjetrin). Por fuqia nuk mund të arrihet në rrafsh individual, as nëse është progresive, është gjithmonë në raport me tjetrin dhe tjetrën, vetëm respekti i tjetrës nga tjetra e konfirmon atë. Për këtë arsye është ikje, dhe krijim i argumentit për çfarëdo zgjedhje dhe atë zgjedhje individuale. E me këtë për të imponuar rolin historik. Për të imponuar shtetin mbi shtetin që ekziston. Themelimin e një shteti ekzistues.























