Politika ngushëllon pas vdekjes së nënës së heroit Fehmi Lladrovci
Ka ndërrua jetë mëngjesin e sotëm Shefkie Lladrovci, nëna e heroit Fehmi Lladrovci dhe e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Kjo është bërë e ditur nga vet kreu i Drenasit përmes një statusi në Facebook.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë të gjithë miqtë dhe dashamirët, shokët, bashkëluftëtarët dhe të afërmit, se sot në mëngjes, në ora 6:46 minuta, u nda nga ne nëna jonë e shtrenjtë Shefkie (Nika) Lladrovci! Ajo vdiq si nënë e lumtur, në gjirin e familjes tonë. Pas një sëmundje të shkurtër, duke parë të jetësuar ëndrrën e bijve të saj, të Bijë-Nuses së ndritur, Xhevës, nga e cila mësoj të shkruaj dhe të lexoj, duke ndjerë dashurinë e madhe të bijve, bijave, nipërve e mbesave, stërmbesës, respektin e pa fund të bashkëmendimtarëve dhe të bashkëluftëtarëve të birit të saj, Fehmiut”, shkroi Lladrovci.
Ai tha se duke e ditur gjendjen e pazakontë aktuale, i është lutur që të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për të shmangur vizitat dhe tubimet për varrime.
Pas ndarjes nga jeta të Shefkie Lladrovcit, reagoi edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi që tha se kjo familje ka dhënë kontribut të çmuar në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Sot ndërroi jetë Nëna Shefkie Nika - Lladrovci, nëna e heroit të Kosovës, komandantit të shquar Fehmi Lladrovci. Familja Lladrovci ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në të gjitha periudhat e lëvizjes sonë kombëtare. Familjes Lladrovci dhe gjithë miqve të saj, i shpreh ngushëllimet më të thella për vdekjen e Nënës Shefkie. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shkroi Thaçi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shkroi se nëna Shefkie ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike, duke i mësuar ata që të sakrifikohen për atdhe.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për kalimin në amshim të Shefkie Lladrovcit, Nënës së Heroit të Kombit, Fehmi Lladrovci. Nëna Shefkie ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike, duke i mësuar ata që të sakrifikohen për Atdhe. Ajo ia fali Kosovës Fehmiun, një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së. Pusho e qetë bashkë me Fehmiun, Nëna Shefkie!”, shkroi Haradinaj























