BIK-u përkujton zyrtarin e imamin e saj, Mustafë Dervisholli
BKT
Lajme

BIK-u përkujton zyrtarin e imamin e saj, Mustafë Dervisholli

Bashkësia Islame e Kosovës në një akademi përkujtimore ka nderuar anëtarin e saj shumëvjeçar, Mustafë Efendi Dërvishollin, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Nën patronatin e Myftiut të Kosovës, Naim Efendi Tërrnava, në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame është mbajtur një akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Mustafë Efendi Dervishollit, i cili ndërroi jetë ditë më parë në kohën e ngujimit për shkak të pandemisë.

Në fjalën e tij, Myftiu Tërrnava portretoi punën shumëvjeçare dhe me përkushtim të Mulla Mustafës si zyrtar i BIK-ut, imam i xhamive në Prishtinë e Gjakovë, si dhe veprimtarinë e pandalur atdhetare.

Urtia, mençuria, modestia e ligjërimi i drejtë e jo nxitës i Mulla Mustafës u veçuan si virtyte që e karakterizonin atë.

Moshatari i tij, Hajrullah Efendi Hoxha, evokoi kujtime që nga koha kur ishin nxënës në Medrese dhe bashkëpunimin deri në pensionim dhe pas tij. Duke veçuar edhe virtytet patriotike të Hoxhë Mustafës si anëtar i lëvizjeve antikomuniste dhe liridashëse.

Edhe Resul Rexhepi, sekretar i BIK-ut, shpalosi përshtypjet e tija për bashkëpunimin me Mulla Mustafën në administratën e kësaj Bashkësie, duke çmuar lart mësimet që kishte marrë nga ai.

Sekretari i KBI-së në Gjakovë, Esat Efendi Rexha dëshmoi se pikërisht Mulla Mustafë Dervisholli që kishte shërbyer me vite në Gjakovë e kishte bindur të studionte për fe, në kohën kur në Gjakovë askush më nuk e bënte këtë për shkak të ndikimit shumë të madh të komunizmit atje.

I biri i imamit atdhetar, Benjamin Dervisholli falënderoi në emër të familjes të gjithë që nderuan babanë e tij, të cilin e cilësoi prind shumë të dashur dhe të përkushtuar edhe për familjen e tij.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Lajme