Sabri Fejzullahu pas pranimit të “Çelësit të Prishtinës”: Nder dhe kënaqësi
Këngëtari i njohur shqiptar, Sabri Fejzullahu, është nderuar të enjten me mirënjohjen “Çelësi i Prishtinës”.
Kjo dekoratë iu dhurua atij nga kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij artistik ndër vite.
Pas pranimit të këtij çmimi, Fejzullahu ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur se e kishte për nder ta pranonte këtë çmim.
“Në 21 vjetorin e çlirimit të Prishtinës sime, sot pata nderin dhe kënaqësinë që nga Komuna e Prishtinës, respektivisht kryetari Shpend Ahmeti dhe ekipi i tij i mrekullueshëm, të pranoj ÇELËSIN E PRISHTINËS. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve. Ju dua. I juaji, Sabri Fejzullahu”, ka shkruar këngëtari i njohur në Instagram.
Ndërkohë, edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, publikoi në rrjetin social Facebook disa fotografi nga takimi, ku çmoi lartë vlerat e Sabri Fejzullahut si artist.
“Çelësin e Prishtinës” në Ditën e Çlirimit ia dorëzuam Sabri Fejzullahut që përgjatë 55 viteve karrierë i dhuroi aq shumë gëzime, përjetime e kujtime të paharruara Prishtinës. Axha Sabri, urojmë që edhe shumë vite të i këndosh Prishtinës që aq shumë e do”, shkroi Ahmeti në Facebook. /Telegrafi/























