Zhegrova ka pësuar lëndim në ligamentet e këmbës së majtë
Edon Zhegrova mund të jetë një nga futbollistët me më pak fat.
Ylli kosovar pas formës së mirë që po kalonte para bllokimit të futbollit, pritej që të kthehej në fushë në ndeshjen e djeshme të Basel kundër Lausanne, në kuadër të Kupës së Zvicrës.
Por Zhegrova nuk ishte i ftuar as në 18-shen e parë, derisa tani klubi zviceran ka konfirmuar se lojtari ka pësuar dëmtim në ligamentet e këmbës së majtë dhe do të jetë jashtë fushave për një kohë të pacaktuar, transmeton lajmi.net.
”Mesfushori i FCB, Edon Zhegrova pësoi dëmtim të ligamentit në këmbën e majtë në një ndeshje stërvitore javën e kaluar. Pas disa ekzaminimeve, tani është e sigurt që 21-vjeçari do të jetë jashtë fushave deri në njoftimin e mëtutjeshëm dhe për fat të keq do të humbasë ndeshjet e radhës të FC Basel 1893”.
”FCB i uron Edon Zhegrovës një rikuperim të shpejtë dhe një rikthim në fushën e futbollit sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e klubit.























