Hoti flet pas lajmit për rastet e sotme me COVID 19, kërkon kujdes
Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të lajmit për njëqind e njëzet e shtatë raste me COVID 10 sot në Kosovë.
Hoti ka kërkuar kujdes, duke thënë se Qeveria në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke i zbatuar masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe po ndjekë hapat e vendeve të BE-së për rimëkëmbje ekonomike.
Reagimi i plotë në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Numri i shtuar i rasteve të konfirmuara sot me #COVID19 është pasojë e mos kujdesit pas lehtësimit të masave të lëvizjes. Qeveria jonë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës është duke i zbatuar masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe po ndjekim hapat e vendeve të BE-së për rimëkëmbje ekonomike.
Është krejtësisht në pergjegjësinë tonë që të mbrohemi dhe t'i zbatojmë me përpikmëri masat e distancës fizike. Prandaj, sërish ju bëj thirrje që të shtojmë kujdesin për neve dhe familjarët tanë!
● Vendosni maska gjatë gjithë kohës në hapësira publike
● Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar të papastërta
● Pastroni dhe dezinfektoni shpesh objektet dhe sipërfaqet e prekura siç janë tavolinat, tastierat, telefonat, parmakët dhe rezat e dyerve
● Mbajeni distancën fizike
● Nuk lejohet më shumë se 1 person në 8 metra katrorë në lokale
● Pronarët e lokaleve janë të obliguar të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve























