QYTETI SHPIRTËROR
BKT
Kulturë

QYTETI SHPIRTËROR

Libri “Shafrani në Kaçanik” i historianit Ylber Hysa është një koleksion esesh mbi vakëfin e vezirit Koxha Sinan Pasha në Kosovë.

Edhe pse nuk mungojnë vertikalja historike (gjurmët ilire të lokalitetit) dhe horizontalja gjeografike (qytetet e tjera ko-sovare), libri përqendrohet në një qytet, përkatësisht në kuzhinën e tij, saktësisht në mëlmesa e ushqime, ndër të cilat veçohet shafrani, i cili shfaqet edhe në titull të librit. 

Titulli 

Për qëllime katalogimi ose orientimi, libri gjithmonë ka nevojë për një titull, i cili, si shenjë paratekstuale, mund të jetë tematik, ose rematik, dhe mund të pasohet nga nëntitulli që kryen funksionin e indikacionit gjenerik. 
Ky libër ka titull tematik (Shafrani në Kaçanik), ndërsa nëntitulli i nënkuptuar është specifikim zhanri (histori kuzhine), që këtu jepet thjesht si ese, apo sprovë.  
Vendosja e shafranit si fjalë e parë në titull tregon rëndësinë që ia jep autori kësaj bime në punimin e tij. Mes mëlmesave dhe ushqimeve të ndryshme (dana, oriz, zerde etj.), shafrani ka privilegjin e të qenët më i rrallë dhe më i shtrenjtë. Pra, në hierarki të produkteve dhe të çmimeve, ai qëndron në majë. 
Po, çfarë ka të veçantë shafrani në Kaçanik? Duke qenë një mëlmesë e shtrenjtë, ai ishte produkt eksporti, por që, çuditërisht, në qytezën e themeluar nga Koxha Sinan Pasha, konsumohej nga të gjithë si ofertë e kuzhinës popullore. Pra, një produkt që në vendet e tjera të Kosovës as shtresave të pasura s’u leverdiste ta konsumonin, në Kaçanik konsumohej edhe nga shtresat e varfra.  
Kështu motivohet edhe titulli i këtij libri.   

Zhanri 

Ky libër është konceptuar si koleksion esesh mbi kulturën e kuzhinës shqiptare, e cila reformohet në kontakt me kulturën orientale. Libri është organizuar si përmbledhje shkrimesh eseistike, pasi që eseja kombinon faktiken dhe hipotetiken, duke ia hequr historisë karakterin definitiv (përmbyllës), për ta kthyer në çështje apertative (të hapur). Në aspektin etimologjik, eseja (fr. essais) është ekzaminim, ushtrim, provë, sprovë (lat. exagium). Pra, qëllimi i shkrimit eseistik nuk është të zgjidhë probleme, apo të mbyllë çështje, por të hapë shtigje, të krijojë alternativa interpretimi; jo të kërkohet e vërteta e madhe (ideologjike), por të shpaloset e vër-teta e interpretueshme. 
Libri i Ylber Hysës është një kërkim eseistik që ka për objekt atë që është konsideruar si margjinë e historisë: kuzhinën, kultivimin e shafranit dhe orizit, recetat e ushqimit, çmimet e produkteve etj. Duke përshkruar kuzhinën, ai analizon kulturën e, duke analizuar kulturën, interpreton ndikimin. 
Punimet në këtë libër herë kanë status studimor, herë komentues. Dy punimet e para, më të gjatat, janë studime (kërkime), kurse punimet e tjera janë komente mbi fakte të rëndësishme lidhur me historinë e ushqimit, ose me historinë e qytetit. Për nga kategoria, studimet dhe komentet janë sprova leximi të “gurëve” historikë me të cilët ndërtohet mozaiku i Kaçanikut. 
Derisa zhanri është ese, tipi është historik, nëntipi: kulinari. Pra, libri strukturohet si ese mbi historinë e kulinarisë. 

Objekti 

Ky libër, kryesisht, është me objekt të përqendruar, vetëm se kamera, për ta shpjeguar kuzhinën e qytetit, del dhe na tregon edhe çka zihet në Kaçanik, në Kosovë, në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane. Krejt ky zgjerim i kuadrit, që paraqet politikën e perandorisë, bëhet për ta kuptuar rëndësinë e pjatës. Këtu trajtohet relacioni osmano-shqiptar nga një pikëpamje neutrale: jo si haheshin këto dy palë, por çka hanin.     
Tre punimet e para, “Shafrani në Kaçanik”, “Orizi dhe shafrani në Kosovë” dhe “Orizi, një ushqim strategjik”, nënvizojnë mëlmesën aristokrate (shafranin) dhe ushqimin strategjik (orizin); dy shkrimet e tjera, “Zerde, më shumë se ëmbëlsirë” dhe “Politika e imareteve”, më shumë se kuzhinë, fokusohen në receptin dhe rëndësinë e ëmbëlsirës (zerde) si reformë në pjatën ballkanike dhe në funksionin e kuzhinës publike (imaretit) si politikë dhe filozofi bamirësie. Ndërsa, shkrimet e tjera (Zbuluesi i zotit dardan në Kaçanik, Kisha në Pustenik, Bogdani dhe Luboteni dhe Mejdani i dyluftimit epik) janë komentime mbi fakte të rëndësishme në historinë e qytetit, me të cilin, përveç Koxha Sinan Pashës, lidhen edhe emra të tjerë të shquar, si: Kraleviç Marko (mbreti i Serbisë) dhe Musa Kesexhia (Teodor II Muzaka), Pjetër Bogdani (prift, prijës e shkrimtar) dhe Sir Arthur Evans (arkeolog anglez). 
Në këtë mënyrë, dokumentohet që ky vend kishte shenja të një lokacioni shpirtëror edhe para ardhjes së Perandorisë Osmane (Evans-i e zbulon Andinin, zotin dardan, në periferi të qytetit; po ashtu, dokumentohet prania e një kishe romake); shërbente si paradigmë etike (Pjetër Bogdani në bardhësinë e Lubotenit gjen një metaforë morale) dhe kishte qenë mejdan i dyluftimin legjendar mes mbretit serb dhe fisnikut shqiptar. 
Krahas përshkrimit të kuzhinës (shafran, oriz, dana, zerde etj.), autori konstrukton edhe kontekstin (vendin, kohën dhe rrethanat). 

Metoda 

Që në librin e parë, Ylber Hysa është vlerësuar për qasjen origjinale. Historiani i njohur austriak Oliver Jens Schmitt shkruante për të: “Përzgjedhja e temave, metodologjia, kontekstualizimi i historisë shqiptare në një kornizë më të gjerë hapësinore si dhe marrja parasysh e literaturës sekondare ndërkombëtare e bëjnë librin e Hysës njërën ndër veprat më origjinale, në mos veprën më origjinale të historiografisë shqiptare të decenieve të fundit”. 
Një qasje të tillë Hysa e vazhdon edhe në librin e dytë, por edhe në këtë përmbledhje shkrimesh të botuara dhe të reja. Metoda e tij është alternim i qasjeve deskriptive dhe interpretative. Ai e analizon historinë, e komenton historiografinë dhe manovron në metahistori. 
Meqë metoda është udha dhe caku, mund të thuhet se aparatura e Hysës, ku kombinohen intuita, formimi dhe burimet e shumta bibliografike, shumicën prej të cilave ai e shfrytëzon në gjuhët origjinale, e zotëron dhe e zbërthen objektin në një mënyrë mbresëlënëse. Ai nuk bën vetëm evidentim dhe interpretim, por, duke i lexuar margjinat e historisë dhe duke e parë historinë nga një plan panoptik, bën një rikonstruktim të kontekstit. Pra, duke ndjekur gjurmët e referencave bibliografike, analizon rrethanat historike-politike dhe restauron formën e dikurshme, për ta bërë të kuptueshme frymën e së tashmes. 

Dedikimi  

Siç e dëshmon Arthur Evans, Kaçaniku kishte shenja shpirtërore edhe para ardhjes së osmanëve, mirëpo me ardhjen e tyre, një shqiptar nga Topojani i Lumës, pasi pushtoi e çliroi vende në tre kontinente (Azi, Afrikë, Evropë), vendosi ta themelojë qytetin e vet shpirtëror, afër Kaçanikut të Vjetër (antik), duke ndërtuar, pranë dy lumenjve, kala, xhami, imaret, medrese, hamam, hane, çezme, ura etj., dhe duke sjellë aty dhjetëra familje nga veriu i Shqipërisë, përfshirë edhe familjen e tij.
Kështu, Koxha Sinan Pasha, që kishte qenë pesë herë vezir dhe që kritikohej si kryefortë, që i lironte bashkëvendësit nga tatimet dhe shumë prej tyre i fuste në administratë në vend të punonjësve osmanë, krijoi një qytet ku derdhi pasurinë e tij, duke e bërë unik në krejt Perandorinë Osmane, siç sugjeron Ylber Hysa: Kuzhina të këtilla mund të ekzistonin nga Persia deri në Ballkan, por në imaretin e Kaçanikut duket se ushqimi në këtë kuantitet e kualitet u ofrohej të gjithëve pa dallim. 
Këtë qytet Koxha Sinan Pasha ia dhuroi të birit, Mehmedit, kurse këtë libër Ylber Hysa ia kushton babait të tij, Bedriut, i cili njihet për kontributin e tij të madh në fushën e arsimit dhe kulturës në Kaçanik dhe Prishtinë.  
Meqenëse dedikimi është shenjë paratekstuale, që nuk bën të injorohet, le ta lexojmë këtë libër si "letër dashurie për qytetin shpirtëror".(Ag Apolloni)


MË SHUME NGA Kulturë