Thaçi: Ftesa e Grenellit, mbështetje e qartë e Amerikës për Kosovën
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka folur rreth ftesës së emisarit, Richard Grenell për bisedimet në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Më 27 qershor Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takim në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të Richard Grenell, të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Thaçi në një konferencë për medie ka thënë se vetë ftesa e Grenellit dëshmon mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje.
“SHBA por edhe aleatët tjerë tanë të përbashkët evropian janë të gatshëm të investojnë në Kosovë, në Kosovën e konsoliduar si shtete i pavarur e evropian. Por në të njëjtën kohë është edhe stabiliteti i rajonit. Kjo e bën të rëndësishëm vazhdimin e dialogut dhe raportet që ka Kosova e Serbia. Qëndrimi i SHBA dhe ftesa për 27 qershor për takim në Shtëpinë e Bardhë, rrit shpresën, optimizëm dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. Pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-ve, të vet presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e ambasadorit Grenell”, deklaroi Thaçi.
Ai theksoi se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe shpejtë duhet të arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
I pari i shtetit nuk bëri të ditur se nga Uashingtoni do të kthehet me marrëveshje finale, por tha se do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën.
Derisa theksoi se në këtë marrëveshje nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të cenohet sovraniteti i vendit.























