Thaçi:Lajçak duhet të jetë konkret dhe jo të shkohet në procese të pafundme
Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk ka pse të takojë sot emisarin evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak nëse ky i fundit nuk ka propozim konkret për Kosovën.
(E plotësuar) Diplomati sllovak pasditen e sotme vjen në Kosovë, në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës dhe një ditë pasi emisari amerikan Richard Grenell paralajmëroi vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Uashington.
Në një konferencë për media, presidenti Thaçi u shpreh se Lajçak duhet të jetë konkret dhe jo të shkohet në procese të pafundme, pasi që vendi ka humbur kohë tash e 20 vjet.
“Në momentin që eventualisht zbret në orët e mëvonshme ekipet tona do të komunikojnë me njëra-tjetrën. Nëse ka diçka konkrete, jo vetëm për të hulumtuar terren, natyrisht nuk ka arsye për të mos u takuar. Nëse është vetëm për të hulumtuar terren, Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet. Ne kemi nevojë për hapa konkretë. Lajçak duhet të jetë i qartë në dy gjëra - qëndrimi për liberalizimin e vizave, çfarë qëndrimi kanë shtetet anëtare. Këtë e meritojnë më shumë shtetet anëtare. Më tepër se ligjëratat për proceset e pafundme që mund të ndodhin. Në anën tjetër si do të trajtojë Kosovën. Nëse e trajton si shtet i pavarur dhe sovran, procesi do të jetë më i lehtë. Nëse jo, atëherë është një mision jo i suksesshëm nga ana e tij”, tha ai./KosovaPress























