Ekspertët: Testi i arritshmërisë mund të anulohet
Pas kërkesës së Këshillit të Prindërve të Kosovës, që të shtyhet mbajtja e testit të arritshmërisë dhe ai i maturës, Ministria e Arsimit ende nuk ka dalë me ndonjë vendim.
Por, kjo Ministri është duke e shqyrtuar mundësinë e shtyrjes së testit pas datës 15 gusht. Ndërkohë, ekspertët thonë se testi i arritshmërisë mund të anulohet, për të mos rrezikuar shëndetin e nxënësve.
Albana Karaj
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshit ka deklaruar për Radio Kosovën, se për këtë vit mund të anulohet testi i arritshmërisë, nëse vazhdon rritja e numrit të rasteve me COVID-19. Në emër të prindërve, ai shprehu shqetësimin e tij për shëndetin e nxënësve, duke theksuar se kërkesën për shtyrje të testit të arritshmërisë dhe atë të maturës ose anulim, ia kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit, por që nuk kanë marrë përgjigje.
Reshiti ka thënë se Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk janë treguar efikase në zbatimin e rekomandimeve për organizimin e testit të arritshmërisë dhe atë të maturës. Ai gjithashtu, kritikoi edhe Ministrinë e Arsimit që ka marrë vendime pa konsultim me Këshillin e Prindërve.
Ndërkohë, ish-udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim, Mustafë Kadriu, po për Radio Kosovën, ka thënë se është mirë që këtë vit të mos organizohet testi i arritshmërisë, ndërsa ai i maturës të shtyhet për muajin gusht.
Sipas Kadriut, nxënësit e klasave të nënta mund të regjistrohen në shkollat e mesme në bazë të rezultatit të arritur gjatë shkollimit të tyre, duke u përcaktuar kriteret e duhura për regjistrim. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ende nuk ka marrë ndonjë vendim konkret për këtë çështje, por ka theksuar se është duke e shqyrtuar mundësinë e shtyrjes së testit pas datës 15 gusht. Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, Ministria pat anuluar organizimin e mësimit plotësues për klasat e nënta dhe të dymbëdhjeta. Ndërkohë, ende është në fuqi vendimi që testi i arritshmërisë të mbahet më 23 qershor, ndërsa ai i maturës më 4 korrik.























