VV: Pa përfshirjen e Kurtit s’mund të ketë marrëveshje të suksesshme
BKT
Lajme

VV: Pa përfshirjen e Kurtit s’mund të ketë marrëveshje të suksesshme

Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë detaje nga takimi që sot pati kreu i kësaj partie, Albin Kurti me të dërguarin e BE’së në dialog, Mirosllav Lajçak.

“Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, deputeten dhe anëtaren e kryesisë Fitore Pacolli Dalipi dhe anëtarin e kryesisë Glauk Konjufca, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Mirosllav Lajçak, shefen e zyrës së BE-së znj. Natalia Apostolova, znj. Anna Maria Boura, kryesuese e COËEB, znj. Katharina Kandt, këshilltare e z. Lajçak dhe Umerr Al – Khatib, këshilltar politik në zyrën e BE-së”, kanë thënë nga LVV-ja.

Në këtë njoftim thuhet se Lajcak ka deklaruar se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e kreut të LVV-së, Albin Kurtit në dialog.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë z. Lajçak gjatë takimit theksoi interesimin e Brukselit për dialog me parime e marrëveshje për normalizim midis dy vendeve. Por, z. Lajçak u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kryetarit Albin Kurti dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kjo duke marrë parasysh përkrahjen gjithnjë në rritje dhe ndikimin e madh brenda vendit. Ai njoftoi që Brukseli po punon për rifillimin e dialogut i cili pritet të nis në muajin që vjen”, shkruhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes, Kurti ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm.

“Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli. Prandaj, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmagmshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate”, citohet të ketë thënë Kurti.


MË SHUME NGA Lajme