Përurohet laboratori mobil i parapaketimit për mbrojtjen e konsumatorit
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë një hap tutje në mbrojtje të konsumatorit, duke inauguruar laboratorin mobil të parapaketimeve.
Ky laborator do të shërbejë për kontrollin e masave nga 5 gramë deri në 10 kilogramë dhe atë të vëllimit nga 5 mililitra deri në 10 litra, para se të paketohen do të kontrollohet produktet.
Kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza, tha se laboratori mobil i parapaketimeve dhe shisheve enë matëse, është i parë i kësaj natyre në Kosovë, i cili siguron përmbushjen e zbatimit të ligjit të Metrologjisë.
“Ky është një hap drejt implementimit të ligjit dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe shërbim për kompanitë prodhuese të cilët prodhimet e tyre synojnë t’i eksportojnë në vendet e BE dhe vendet e tjera të botës”, tha Fejza.
Ai bëri të ditur se me direktiva të BE-së që janë të adaptuar edhe në legjislacionin vendor, kërkohet që të gjitha produktet që janë në tregje duhet t’iu përmbahet direktivave të BE-së dhe ligjeve të Kosovës.
“Që deri më tash nuk kemi pasur mundësi ta implementojmë këtë komponent si rezultat i mungesës së laboratorit. Laboratori është me mjete të Agjencisë, gjegjësisht të Qeverisë dhe nga sot janë krijuar kushtet për ta përmbushur ligjin edhe në këtë segment”, tha Fejza.
Kryeshefi i AMK-së tha se shpreson që në vazhdim do të ngritin kapacitetet edhe në segmentet tjera, pasi që me këtë laborator mobil do të mbulohen masat nga 5 gramë deri në 10 kilogramë dhe atë të vëllimit nga 5 mililitra deri në 10 litra.























