Superliga vazhdon sot me tri ndeshje joshëse
BKT
Sport

Superliga vazhdon sot me tri ndeshje joshëse

Prishtina e Gjilani zbresin në fushë sot për të bërë hapin e radhës në ndjekje të Dritës, pasi kanë ndeshje relativisht të lehta në terrenet e tyre.

Pas duelit Drita-Ferizaj, xhiroja e 25 sjellë sot edhe tri takime tjera.

Prej orës 17:00, Gjilani pret Vushtrrinë në shtëpi ku nuk guxon të gabojë, sidomos pas fitores së Dritës dje.

Gabimi ndaj Trepçës ’89 në shtëpi është dashur të jetë mësim i mirë për ekipin e Gentjan Mezanit, që nëse don dy pozitat e para duhet t’i fitojë ndeshjet e tilla.

Gjilani kërkon fitoren e parë në shtëpi pas rikthimit të kampionatit nga pandemia.

Në të njëjtën kohë, Drenica dhe Flamurtari luajnë duelin “kuqezi” të mbijetesës në “Bajram Aliu”.

Fitorja ndaj Llapit i ka relaksuar shumë drenicasit, të cilët me një trepikësh tjetër eventual sot do të bënin një hap të jashtëzakonshëm për t’i ikur luftës për mbijetesë, ndërsa njëjtë nuk mund të thuhet edhe për Flamurtarin, i cili gjithsesi do të kënaqej edhe me një pikë në Skenderaj, transmeton Olle.

Ndeshja e fundit e ditës zhvillohet nën dritat e reflektorëve të “Fadil Vokrrit” mes Prishtinës dhe Dukagjinit prej orës 19:00.

Ekipi i Armend Dallkut futet në fushë për fitoren e radhës, që do të konfirmonte formën e mirë dhe do të vazhdonte presionin ndaj liderit Drita.

IPKO SUPERLIGA

17:00 Gjilani – Vushtrria

17:00 Drenica – Flamurtari

19:00 Prishtina – Dukagjini