Flasin nga Këshilli i LDK’së: Nuk dimë si bëhet forma e numërimit të votave
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga pozitat e saj në këtë parti. Osmani ishte pjesë e anëtarësisë së kryesisë së LDK’së dhe nënkryetare e saj, megjithatë Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, vendosi të shkarkojë Osmanin nga këto pozita.
Ndërsa Ardian Shala nga Dega e LDK’së në Suharekë, pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, ka konfirmuar se ka votuar kundër shkarkimit të Osmanit. Gjithashtu, Shala tha se nuk dihet si do të bëhet forma e numërimit të votave.
“Votimi për shkarkimin e Osmanit është bërë përmes emailit, pra nuk është bërë në takim. Ne nuk e dimë si bëhet forma e numërimit”, është shprehur Shala për Gazetën Express.
“E dimë që vota është e fshehur, por ne nuk kemi themeluar komision për numërimin e votave. Pra, ne nuk e dimë kush i numëron ato vota dhe sa janë të sakta. Është dashur të themelohet një komision për numërimin e votave”.
Ai gjithashtu tregoi edhe opsionet në fletën votuese.
“Kemi pasur tri opsione në votim: pro, kundër dhe abstenim. Gjithashtu në të njëjtën kohë edhe pyetjen për Avdullah Hotin për t’u bërë nënkryetar i partisë”, tha Shala.
Tutje, Shala tha se vota e tij kundër erdhi si rezultat i mospajtimit lidhur me përjashtimin e nënkryetares nga LDK’ja. Ai tha se ky mospajtim është dashur të zgjidhet ashtu siç është zgjidhur çështja e kryetarit të partisë në zgjedhjet e fundit brenda LDK’së.
“Unë nuk jam pajtuar me votimin që të përjashtohet dikush nga LDK’ja, aq më pak nënkryetaren e partisë. LDK’ja nuk ka pasur asnjëherë praktikë të tillë. Kemi pasur hapësirë për gjuhë komunikimi, siç kemi gjetur kur ishte në pyetje posti i kryetarit të partisë. Janë vet Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa që kanë gjetur marrëveshje. Kjo ka mundur të ndodhë qysh në kohen e mocionit”, shtoi Shala.
Isa Mustafa si Kryetar i LDK-së konstatoi se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së dhe Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë.























