E diela spektakolare, spikasin Everton-Liverpool dhe Sociedad-Real!
E diela magjike që pritet të dhurojë spektakël dhe emocione të shumta me tri prej kampionateve më të rëndësishme në Europë Premier League, La Liga dhe Serie A.
Java e 30-të e kampionatit anglez kulmon këtë të dielë me derbin e Liverpoolit, Everton-Liverpool. Të kuqve të Jurgen Klopp u duhen edhe dy fitore për të siguruar edhe matematikisht titullin kampion, pra nuk do të ketë festë që këtë të dielë në Goodison Park.
Gjithsesi pritet një sfidë spektakolare dhe e rivalizuar mes dy skuadrash që përpara pandemisë po kalonin momente diametralisht të kundërta. Në orën 17:15 do të keni mundësi të ndiqni edhe sfidën mes Aston Villas dhe Chelseat me Blutë e Londrës që do të synojnë fitoren për të hedhur një tjetër hap drejt kualifikimit në Champions League.
Në La Liga ndërkohë në mbrëmje në orën 22:00 Reali i Madridit do të ketë mundësinë ideale për të rimarrë kreun e kampionatit nëse arrin të triumfojë në transfertën e San Sebastian ndaj Real Sociedad. Ndaj Barcelonës, Los Blancos kanë favorin e ndeshjeve direkte, dhe nëse arrin të marrin pikët e plota nga tani e deri në fund të kampionatit mund të shpallen kampionë. Por titulli për skuadrën e Zidane që po kalon një moment shumë të mirë forme kalon nga transferta delikate ndaj Real Sociedad.
Sot në mbrëmje luhen edhe dy ndeshjet e fundit të prapambetura të javës së 25-të të Serie A.
Atalanta në orën 19:30 do të ketë mundësi të blindojë për momentin vendin e 4-t nëse arrin të fitojë ndaj Sassuolos, ndërsa në 21:45 Interi nëse mposht Sampdorian do të rikthehet në garën për titull pasi diferenca me Juventusin do të shkojë vetëm -6 pikë, transmeton SS.
Antonio Conte duhet t’i bëjë llogaritë pa tre lojtarë të rëndësishëm në mesfushë pasi në vetëm pak ditë përveç Vecinos ka humbur edhe Sensin e Brozovic, gjithsesi trajneri i zikaltërve mund të mbështetet te treshja Eriksen-Lautaro-Lukaku për të thyer rezistencën e skuadrës së Ranierit.























