Totalja e debatit sot si ritual nën ankth
Sharr Travel

Totalja e debatit sot si ritual nën ankth

Ballsor Hoxha

Mungesa e një përkufizimi dhe shtjellimi profesional në shoqërinë tonë, pavarësisht debateve 24/7 në të gjitha televizionet tona, sidomos të çështjeve jetike si presidenti i SHBA Trump,; pastaj përballja globale me COVID 19 etj, janë shenjë e mungesës së mbrojtjes sonë. Apo thënë ndryshe, pranë të kundërtën e saj, përhapja e shpjegimeve prej më të çuditshmeve e deri tek ato më të ndikuara nga politika lokale, ndaj fenomeneve globale si presidenti amerikan Trump, janë pikërisht gjendja e pambrojtur e shoqërisë sonë. Janë pikërisht kaosi total i cili lejon, dhe aq më shumë mundëson që përkufizime krejtësisht të verbëta politike apo qoftë personale të kalojnë në dije të përgjithshme të shoqërisë. Duke marrë edhe përhapje krejtësisht paradoksale në tërë çudinë e tyre.

Janë dëgjuar shpesh thirrjet e mjekëve, posaçërisht në Itali që thonin “ drejtohuni tek Ronaldo tani të ju shëroj”. Sistemi i pestë në botë për nga kualiteti, siguria dhe pajisja, ai i Italisë, ka dështuar deri në katastrofë të tërë sistemit, deri në kolaps, nga përhapja dhe tragjedia e pandemisë së shkaktuar nga COVID 19.

Si është e mundur që bota, njerëzimi të jetë i organizuar dhe i ndërtuar ashtu që pjesët esenciale dhe të paevitueshme si mjekësia në shoqëri dhe në sistemet shtetërore janë krejtësisht të parëndësishme për vetë njeriun, së paku për nga mënyra si janë të trajtuar, për nga mënyra si janë të vendosur brenda shoqërisë dhe për nga kujdesi që shoqëritë tona kanë ndaj tyre.

Kjo, në të vërtetë, nuk ka të bëj vetëm me mjekësinë dhe funksionin e doktorit, kjo është ilustrim i çorodisë së organizmit dhe të funksionimit të shoqërisë njerëzore.

Në të vërtetë “Konspiracioni i vërtetë”, që është duke mbretëruar këto ditë globalisht, është qarkullimi tregtar dhe prodhues i kompanive të mëdha që prodhojnë dhe tregtojnë mallra që lidhen direkt me pandeminë, siç janë maskat, dorëzat e higjienës etj. Sipas këtij “Konspiracioni të rrejshëm” bota është e vendosur dhe është e bartur nga disa qarqe dhe figura të cilat edhe krijojnë viruse si COVID 19 e edhe i shfrytëzojnë po të njëjtat për pushtet personal.

Sigurisht, është e njohur, që edhe është në natyrën njerëzore të konspiroj në situata të paqarta dhe në situata të rënda, dhe edhe të krijoj politika vetëmbrojtëse në po të njëjtat situata, politika që krijojnë konspiracionin si vetëmbrojtje dhe si argument për presion dhe protestë.

Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Siç është e njohur pak para pandemisë ka pasur lëvizje globale dhe tejet të mëdha në tërë botën, protesta ndaj pushteteve qeveritare, ndaj korrupsionit dhe ndaj oligarkëve të shoqërive.

Së bashku, këto përbëjnë vetë qarkun e kalimit të njerëzimit nëpër një ndryshim tejet të madh dhe tejet të ankthshëm, e që është ndryshimi i sjelljes njerëzore, për shkak të kalimit nëpër epoka, për shkak të kalimit të njeriut në epokën e inteligjencës artificiale dhe për shkak të ankthit nga këto ndryshime.

Ankthi si theks i vetëdijes sonë, që kërkon strehën, sigurinë, kuptimin e realitetit tonë, sigurisht realitet që po ndryshon brenda ditës, ka krijuar edhe qarqet e shkarkimit të tij, si në medie dhe po ashtu edhe në masa të njerëzimit.

Mirëpo kjo që po ndodh në shoqërinë tonë, trajtimi i sjelljes së një presidenti si ai i Amerikës në interpretim krejtësisht injorant dhe të pabazuar, nuk është vetëm shoqëri e pambrojtur. Në të vërtetë derisa shoqëria është e pambrojtur, ajo thithë interpretimet krejtësisht të anshme apo edhe të çoroditura. Problemi është se në këtë mënyrë shoqëria jonë shpartallohet dhe mbetet viktimë, apo edhehepet tutje në interpretime edhe më kosnpirative, edhe më të thella e edhe më të rrezikshme.

Ilustrimi më i mirë i pambrojtësisë së shoqërisë sonë, si dhe të shpartallimit të shoqërisë sonë është përhapja dhe rreshtimi i një mase tejet të madhe të qytetarëve të shoqërisë sonë në luftën e asaj që njihej si ISIS.

Derisa partitë politike, si dhe përfituesit e anktheve kolektive e shfrytëzojnë dilemën në shoqëri të situatave jo krejtësisht të shpjegueshme për interpretime personale, në të vërtetë pikërisht kjo krijon shpartallimin e mekanizmave mbrojtës të shoqërisë sonë, duke i lënë vend asaj që njihet si ritualizimi i ankthit. Gjë që e dëshmon debati, dhe debatet 24 orë në ditë në televizionet tona, e që në përmbajtjen e tij/tyre kanë vetëm ritualin e shoqërisë nën ankth. Ritualin e përsëritjes së sjelljes së njeriut nën aknth, interpretimin bardh dhe zi.