Osmani në Obiliq: Investimi në ambient garanton zhvillim ekonomik
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Obiliq bashkë me disa deputetë.
Ajo në fjalën e saj hyrëse ka thënë se kanë nisur këtë turne të vizitave nëpër qytete të cilat kanë probleme me ndotjen e ajrit, njofton Klan Kosova.
“Po fillojmë me vizitat tona të gjelbra. Qytetet që synojnë t’i vizitojmë janë qytete që kanë probleme me çështje ambientale. Synimi është që të bëhen të gjelbra. Nëse nuk flasim për ambientin nënkupton se nuk flasim për shëndetin”, ka thënë Osmani.
“Miratimi i Ligjit të Obiliqit – zbatimi i tij janë shembull i drejtpërdrejt i asaj se sa funksionojnë institucionet. Duhet ta shohim si model të matjes, për të garantuar një jetë më të mirë dhe për ta bërë prioritar shëndetin tonë. Obiliqi është vend ku e kemi Kosovën A dhe Kosovën B, që ka problem me hirin dhe liqenin e kaltër. As fëmijët mos t’i afrohet atij liqeni, sepse mund të duket bukur por është tepër i rrezikshëm për shëndetin e të gjithëve”.
Osmani ka theksuar se investimi në ambient është investimi në zhvillim ekonomik.























