Shqiptarët e Luginës kanë siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë
Gjatë së dielës në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, komunale dhe krahinore, ku shqiptarët për herë të parë kanë kandiduar me një listë të përbashkët.
Në Serbi është duke vazhduar numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare, komunale dhe krahinore që u mbajtën të dielën më 21 qershor.
Për herë të parë në këto zgjedhje partitë shqiptare kandiduan me një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare “Alternativa Demokratike Shqiptare”.
Deri në numërimin e tanishëm, shqiptarët në Kuvendin e Serbisë kanë arritur që t’i sigurojnë dy mandate.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, i cili në numrin e deritanishëm, ai ka arritur që t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Serbisë, transmeton lajmi.net.
“Dy deputetë jemi që kemi arritur të bëhemi pjesë e Kuvendit të Serbisë. Nuk ka përfunduar akoma numërimi në tërësi dhe nuk mund të kemi rezultatin e saktë përfundimtar”, ka treguar Kamberi për lajmi.net, i cili theksoi se beson që deri në ora 18:00 do të përfundojnë të gjitha numërimet dhe do të dihet edhe rezultati përfundimtar i përfaqësuesve të Luginës në Parlamentin e Serbisë.
Në anën tjetër, përveç Shaip Kamberit, pjesë e Kuvendit të Serbisë për katër vitet e ardhshme do të jetë edhe preshevari Argjend Bajrami, nga Alternativa për Ndryshim.























