Shënohet Dita Ndërkombëtare e Shërbyesve Civilë
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Shërbyesve Civilë.
Ministri i këtij dikasteri, Agim Veliu, shprehu mirënjohjen për punën që shërbyesit civilë e kanë bërë gjatë pandemisë me COVID-19.
Ai tha se shënimi i kësaj date kësaj radhe është i veçantë, pasi në këtë vit fillon zbatimi i pakos së re ligjore të administratës publike që mundëson reforma në këtë sektor.
Veliu shprehu përkushtimin e tij për rritjen e kapaciteteve në administratës publike.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, tha se kjo ditë këta punëtorë nuk po i gjen me ndonjë përmirësim nga 23 qershori i kaluar.
Zymberi tha se nëpunësve civilë po iu bëhen padrejtësi në paga. Ai tha se është momenti i fundit që kjo qeveri të kërkojë mundësi që ligji i pagave dhe pakoja ligjore të fillojë së zbatuari duke përmirësuar nivelin e pagave me sektorët e tjerë.
Në këtë ceremoni janë ndarë edhe mirënjohje për nëpunësit civilë të dalluar.























