Deklarata e Prokurorit akt politik e i paprecedentë në praktikën gjyqësore
Sharr Travel

Deklarata e Prokurorit akt politik e i paprecedentë në praktikën gjyqësore

Shkruan: Qashif Bakiu

Deklarata e Prokurorit special për rastin Thaçi dhe Veseli është një akt i paprecedentë ne praktikën gjyqësore ndërkombëtare.

Kjo deklaratë, që në vete përmban doza të mëdha politike, me një sërë pretendimesh të pa përdëftuara, për të cilat fillimisht duhet të prononcohen Dhomat e specializuara (të Gjykatës) nëse do të pranohen për procedurë gjyqësore, nuk i shërben as së drejtës e as politikës, instrument i së cilës po shëndrrohet Prokurori special. Me këtë më shumë humb e drejta, e sidomos besimi i qytetarëve në Kosovë por edhe në shtetet e BE-së, ndaj këtij institucioni, por edhe ndaj të drejtës.


Nga ana tjetër, nuk besoj se ka dikush në Evropë por edhe më gjerë që nuk e din se kush është sinonim i krimeve të luftës, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë, që luftuan me Serbinë për pavarësi. Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, por edhe ndaj gjithë pjestarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë subjektive dhe me qëllime politike. Lufta e popullit shqiptarë të Kosovës është e pastër si kristal, ajo nuk ndotet me mveshje e përlyerje të ulta.


Akuzat nga Prokuroria speciale nuk guxon që të lidhen me politikën ditore në Kosovë. Dëmi që mund ti bëhet Kosovës me këto akuza nuk mund të matet me largimin nga skena politike e Kosovës të Thaçit dhe të Veselit. Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo akuzë barazvlerëson kriminelin me çlirimtarin, masakruesin me të pafajshmin, gjakpirësin me viktimën. Akuzat e tilla tentojnë të barazojnë agresorët dhe barbarët më të mëdhej të Ballkanit dhe Evropës me popullin më të vuajtur. Tendenca e akuzave të tilla çon situatën në rikthim të pozicioneve, respektivisht ndarje të fajit për një luftë, në të cilën shqiptarët do të duhet ta ndajnë fajin me serbët në mënyrë të barabartë.

Ndërsa në atë rast, fati i Kosovës do të merr një kahje krejt tjetër, gjë që politika serbe mundohet me çdo kusht ta instaloj në skenën ndërkombëtare. Prandaj, këto akuza duhet kundërshtuar jo për ta shpëtuar Thaçin dhe Veselin si individë apo si liderë, por për të hekur një mbulesë të flliqtë që tentohet ti mveshet periudhës më të lavdishme të kombit tonë. Fatin politik të Thaçit dhe Veselit duhet ta përcaktojnë qytetarët e Kosovës në zgjedhje, ndërsa fati si udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet lidhur aspak me të parën.


Kjo lojë ka një prapaskenë shumë të madhe, aty janë të kyçur më shumë lojtar, prapaskenë më të madhe se ajo që mendojmë ne.