Greiçevci: Prokuroria Speciale vuri në dyshim profesionalizmin e saj
BKT
Lajme

Greiçevci: Prokuroria Speciale vuri në dyshim profesionalizmin e saj

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci ka reaguar pas njoftimit për aktakuzën nga Prokuroria Speciale për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe kreun e PDK’së, Kadri Veselin.

Greiçevci vlerëson se njoftimi i Prokurorisë Speciale për akuzat ndaj Presidentit Thaçi e Veselit, para se ato të ishin konfirmuar nga Gjykata, vë në dyshim serioz profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre.

”Njoftimi nga Prokuroria Speciale për akuzat e paraqitura kundër Presidentit Thaçi dhe Z. Veseli, përpara se ato të ishin konfirmuar nga një gjykatës dhe me shumë gjasë në kundërshtim me Rregullat e Gjykatës, do të vë në dyshim serioz pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre”, ka deklaruar ambasadori.

Ai është shprehur se edhe mediat ndërkombëtare kanë raportuar në mënyrë të gabuar meqë ende ka mundësi që Gjykata Speciale të hedhë poshtë akuzat ndaj Thaçit e Veselit.

”Shumica e mediave ndërkombëtare kanë raportuar, gabimisht, se Z. Thaçi dhe Z. Veseli ishin akuzuar zyrtarisht. Ende ekziston një mundësi teorike që gjyqtari mund të mos i konfirmojë akuzat. Në atë rast, dëmi i pakthyeshëm do të jetë shkaktuar në imazhin e Kosovës si një shtet i ri”, thotë ai.

Greiçevci ka deklaruar se të gjithë kanë të drejtë të prezumojnë pafajësinë dhe për process të drejtë ligjor.

Sipas ambasadorit, publikimi i emrave, para se të konfirmohen akuzat nuk është ajo për të cilën është nënshkruar kur u krijua Gjykata.


MË SHUME NGA Lajme