Paradokset e gjykatës speciale
Sharr Travel

Paradokset e gjykatës speciale

Njoftimi publik i datës 24 qershor 2020 të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ndaj Hashim Thaҫit, Kadri Veselit dhe të tjerë ka qenë objekt i diskutimeve të shumta kryesisht të natyrës politike dhe më pak asaj juridike.

Ndërsa diskursi ka qenë i përqëndruar ndër të tjera mbi impaktin e drejtpërdrejtë që ky njoftim ka patur në (mos)zhvillimin e takimit të parashikuar në Shtëpinë e Bardhë, pak vëmendje i është kushtuar natyrës dhe funksionimit të institucionit gjyqësor, vulën e të cilit mban kjo aktakuzë. Në këtë këndvështrim, mendoj se është e rëndësishme të analizojmë me syrin e retrospektivës se cili ka qenë konteksti politik, juridik, dhe procedurial që i dha jetë themelimit të këtij institucioni, cila është struktura dhe juridiksioni i kësaj gjykate, dhe mbi të gjitha cilat janë pasojat që vendimet e kësaj gjykate mund të sjellin për Kosovën si dhe rendin e drejtësisë penale ndërkombëtare. Kjo analizë mund të ngrihet vetëm mbi pyetjen nëse Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar të Kosovës, siҫnjihet zyrtarisht, ka përfaqësuar së pari vullnetin e popullit të Kosovës dhe së dyti nëse ajo është konceptuar si institucioni gjyqësor më i përshtatshëm për të trajtuar kërkesën për drejtësi të viktimave në Kosovë. 

Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovёs miratoi nën një trysni të fortë të ndërkombëtarëve, dhe me një shumicë bindëse votash, Nenin 162 tё Kushtetutёs sё Kosovёs dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar (Ligji Nr. 05/L -053). Vlen të theksohet se me përjashtim të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosja të cilët e kundërshtuan këtë ligj duke mos marrë pjesë në votim, një abstenimi dhe pesë votave kundër të anëtarëve të partive të tjera, ky votim mban firmën e të gjithë anëtarëve të tjerë të partive politike të përfaqësuara në kuvend, duke përfshirë edhe atë të të akuzuarëve të kësaj aktakuze. Ajo që ka rezultuar nga ky amendament i Kushtetutës ëshë themelimi i një gjykate tërësisht sui generis, e llojit të vetëm që nuk ka ngjashmëri me asnjë gjykatë tjetër në të gjithë spektrin e drejtësisë penale ndërkombëtare deri më sot. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën ishin gjykata ad hoc të themeluara me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjykatat e tjera penale hibride si ajo e Gjykatës Speciale për Sierra Leone, Tribunalit Special për Libanin, Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatës së Kamboxhias, janë ngritur mbi bazën e traktatit ose marrëveshjes midis shteteve përkatëse dhe OKB-së dhe kanë natyrën e gjykatave të përkohshme dhe të “ndërkombëtarizuara”, që karakterizohen nga elemente kombëtare dhe ndërkombëtare si në përbërje ashtu edhe në funksionimin e tyre. Ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) është një gjykatë e përhershme, e krijuar nga një traktat, “Statuti i Romës”. Ashtu siҫ do tëshihet edhe nga analiza në vijim, Gjykata Speciale është e paprecedentë nëstrukturën, kompetencat dhe funksionimin e saj.