SPERTK takim me Hotin, e njofton për problemet e RTK-së
Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur sot në takim Kryesinë e SPERTK-së, njofton përmes komunikate për shtyp kjo e fundit.
Komunikata e plotë:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së
Kryesia e SPERTK-së
Njoftim
Kryesia e Sindikatës, në përbërje Gëzim Bimbashi - kryetar, Alketa Gashi-Fazliu – anëtare, Fejsal Shasivari - nënkryetar dhe Blerim Ruhani - anëtar, sot janë pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
SPERTK e ka njoftuar kryeministrin për problemet me të cilat po ballafaqohet Mediumi Publik në vend, si mosmiratimi i ligjit të RTK-së, çështja e financimit të pavarur, mungesa e pronës dhe objekteve të reja, po ashtu edhe mos kompletimi i Bordit të RTK-së.
Ndërsa, Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se së shpejti do të adresohen çështjet dhe problemet me të cilat po përballet ky medium publik. Sipas Kryeministrit Hoti, është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë institucion publik, i cili është në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Sindikata e njoftoi kryeministrin edhe për punën e madhe që po bëjnë kolegët tanë në RTK, e me theks të veçantë raportimin profesional e korrekt edhe në kohën e pandemisë, pavarësisht faktit dhe kushteve jo të mira që ka Mediumi Publik.
Me respekt,
Kryesia e SPERTK-së
Prishtinë, 30.06.2020























