Qeveria vazhdon bashkëpunimin me britanikët për rekrutim në pozitat e larta
Sharr Travel

Qeveria vazhdon bashkëpunimin me britanikët për rekrutim në pozitat e larta

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ambasadën britanike lidhur me rekrutimin në pozita të larta drejtuese.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott tha se përvoja e kaluar tregon se rekrutimet në pozitat e larta vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës.

Abbott po ashtu tha se vazhdimi i kësaj marrëveshje ka qenë kërkesa e parë e kryeministrit Hoti.

“Mbarëvajtja e marrëveshjes dhe puna e vështirë në fakt fillojnë pas nënshkrimit përvoja e kaluar tregon se rekrutimet profesionale dhe transparente vazhdojnë të mbesin një sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet e saj. Një sfidë e re është edhe përgatitjet profesionale dhe mënyra e centralizuar e rekrutimeve në administratë. Sipas ligjit të ri për zyrtarët publik ne jemi të gatshëm tu ndihmojmë në nivelin e lartë drejtues”, u shpreh Abbott.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se përmes kësaj marrëveshje do sigurojnë transparencë dhe konkurrueshmëri në procesin e rekrutimit.

Hoti tha se po ashtu se kjo mundëson edhe zgjidhjen e nepotizmit. “Jemi zotuar që së bashku me partnerët tanë britanik të sigurojmë dy gjëra gjatë këtij procesi të rekrutimit e para transparencë të plotë në këtë proces dhe konkurreshmëri për të lejuar që njerëzit me përgatitje më të mirë dhe meritore të jenë në këto pozita. Sot po e përmbushim një zotim të rëndësishëm të qeverisë për tu siguruar që njerëzit që emërohen në pozita të larta publike lirohemi nga mania dhe problemi I nepotizmit dhe I problemeve të rikujtimit. Do kujdesemi personalisht bashkë me ambasadorin që marrëveshja të zbatohet pikë për pike”, theksoi ai.

Kryeministri Hoti i pyetur se a do t’i respektojnë rekomandimet e ekspertëve britanikëve, ai tha se “nëse ka një argument ligjor që dikush është caktuar në kundërshtim me ligjin, përgjegjësinë e marrë unë për të marrë veprimet e duhura”.

Marrëveshjen për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese ambasada britanike e ka nënshkruar sot edhe me Kuvendin e Kosovës.


MË SHUME NGA Aktuale