Inzaghi: Objektivi ynë është Championsi, ndaj Milanit do jetë e vështirë
Sharr Travel

Inzaghi: Objektivi ynë është Championsi, ndaj Milanit do jetë e vështirë

Dy fitore radhazi me përmbysje kanë rritur gjithmonë e më shumë besimin e Lazios për titullin kampion, por trajneri Simone Inzaghi preferon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe thekson se skuadra ka tjetër objektiv.

“Objektivi ynë ishte një vend në zonën Champions dhe na duhet edhe 7 pikë për ta siguruar matematikisht atë. Jam shumë krenar me atë që po bëjnë këta djem në fushë, por fillimisht të sigurojmë zonën Champions dhe më pas t’i marrim ndeshjet me radhë, me shpresën që mund të arrijmë diçka më tepër”, tha trajneri i bardhekaltërve.

Nesër Lazio do të udhëtojë drejt Milanos, për t’u përballur me kuqezinjtë e Stefano Piolit, një skuadër që luan për të siguruar një vend në Ligën e Europës dhe për më tepër gëzon respektin maksimal të Inzaghit.

“Ky Milan është mjaft i mirë-organizuar dhe ka në përbërje lojtarë që mund të bëjnë diferencën, ndaj duhet përballuar ndeshja në mënyrën më të mirë të mundshme. E njoh mirë Piolin dhe mund të them se është një trajner mjaft i përgatitur, ashtu siç duhet të bëjmë kujdes edhe nga Ibrahimovic”, u shpreh Inzaghi.

Ciro Immobile dhe Filipe Caicedo kanë qenë njerëzit që kanë udhëhequr repartin e avancuar të Lazios këtë sezon, ku veçanërisht italiani është edhe kryegolshënues i kampionatit. Megjithatë të dy janë të pezulluar për sfidën ndaj Milanit dhe Inzaghi do të duhet të improvizojë me sulmin, pasi nuk ka asnjë tjetër në dispozicion.

“Këto kohë jemi mësuar me situatën e emergjencës, pasi në çdo javë kemi pasur mungesa të rëndësishme, por jam i sigurt se kushdo që të luajë, do të bëjë më të mirën në fushë. Natyrisht që mungesa e Immobiles peshon, por besojmë edhe te ata që kemi në pankinë”, tha trajneri i Lazios.