Votuesit që mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane
Sharr Travel

Votuesit që mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane

Ian Martens, një i ri në vitin e tretë të studimeve në Universitetin Furman në Karolinën e Jugut, thotë se Presidenti Donald Trump ka "bërë një punë të shkëlqyer duke ngritur ekonominë tonë", dhe atij i pëlqen fakti që presidenti Trump "qëndron në mbrojtje të të drejtave të Amendamentit të Dytë", ose të së drejtës për të mbajtur armë.

"Më e rëndësishmja, ai është presidenti më pro-jetës (kundër abortit)", i tha zoti Martens Zërit të Amerikës, duke thënë se kjo çështje politike për të është "një debat mes jetës dhe vdekjes".

Ndërsa votat e të rinjve - tashmë blloku më i madh i votuesve në Shtetet e Bashkuara - parashikohet të kenë një ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e vitit 2020, meshkujt e rinj të bardhë si zoti Martens mund të luajnë një rol të madh në përcaktimin e zgjedhjeve.

Meshkujt e rinj të bardhë "formojnë një brez të konsiderueshëm dhe nganjëherë joproporcional të elektoratit amerikan," raportoi Qendra për Informim dhe Kërkim mbi Arsimimin Qytetar dhe Angazhimin (CIRCLE) në Universitetin Tufts në Medford, Massachusetts.

Meshkuj e rinj të bardhë dolën në masë për të votuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Një milion më shumë të rinj të bardhë shkuan në votime dhe ushtruan votën e tyre sesa femrat e reja të bardha, dhe ata preferuan kandidatin republikan Trump përkundër kandidates demokrate Hillary Clinton, me 22 pikë përqindje diferencë.

Dhe dy vjet më vonë në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018, ndërsa shumica - 60% - e votuesve të rinj të moshave 18 deri 29 vjeç identifikoheshin me Partinë Demokrate, më shumë se katër në 10 meshkuj të rinj të bardhë thanë se favorizuan Donald Trump-in, sipas Institutit Publik për Studimin e Fesë (PRRI) që është një organizatë kërkimore jofitimprurëse, jopartiake.

Ata votuan më shumë sesa burrat hispanikë dhe afrikano-amerikanë në zgjedhjet afatmesme të vitit 2018, sipas analizës së Universitetit Tufts të të dhënave të censusit të vitit 2018, dhe ata përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë në "disa shtete kryesore të lëkundshme, si Iowa, Ohio , dhe New Hampshire", raportoi qendra CIRCLE.

Çështjet kryesore

Prioritetet midis votuesve të rinj të bardhë janë "Bëni Amerikën përsëri të Madhe dhe lëvizjet për të drejtën e mbajtjes së armëve", sipas qendrës CIRCLE.

"Unë mbështes presidentin Trump sepse ai ngriti çështje që politikanët e karrierës i kanë lënë pas dore me dekada, që nga sjellja në vëmendje e burrave dhe grave të klasës punëtore në të gjithë vendin, që nga trajtimi i nevojave të fermerëve, deri në mbrojtjen e interesave kombëtare jashtë shtetit," Cody Steed, një anëtar i Kolegjit Republikan në Universitetin Atlantik të Florida, shkruajti në një email për VOA.

"Ndjej se ai me të vërtetë kujdeset për përparimin dhe suksesin e këtij vendi," tha zoti Steed.

Të drejtat për armët janë thelbësore për shumë votues të rinj. Në 2018, 77 përqind e votuesve të rinj amerikanë thanë se kontrolli i armëve ishte një çështje e rëndësishme në përcaktimin e votës së tyre, sipas Institutit të Politikave të Shkollës Harvard Kennedy.

Lëvizja kundër abortit është e rëndësishme edhe për disa votues të rinj meshkuj të bardhë. Në përgjithësi, 46% e burrave në përgjithësi kundërshtojnë abortin, sipas një sondazhi bërë nga Gallup në vitin 2019.

"Debati pro-jetës është çështja më e rëndësishme 'politike' për mendimin tim, sepse është drejtpërdrejt një debat midis jetës dhe vdekjes", tha zoti Martens. "Çdo abort është fundi i një jete, prandaj unë jam më i apasionuar pas kësaj sepse nuk jam në favor të dhënies fund të jetëve të çmuara të bebeve".

Për krahasim, i njëjti anketim zbuloi se 43% e grave në përgjithësi u identifikuan si mbështetëse të të drejtave të abortit, me 62% të tyre në grupmoshën 18-29 vjeç. Dyzet e gjashtë përqind e këtyre grave u identifikuan si "plotësisht hispanike ose jo të bardha".

Të rinjtë e bardhë iu bashkohen radhëve të "burrave të bardhë të rebeluar të moshës së mesme, nga radhët e klasës punëtore, [të cilët] u vlerësuan se mundësuan një nga përmbysjet më të mëdha politike në politikat presidenciale amerikane”, raportoi Zëri i Amerikës.

Në një tubim të të rinjve pro-Trump në Phoenix, në 23 qershor, të rinjtë e bardhë u ngjitën në skenë së bashku me Presidentin Trump, një nga djemtë e tij të rritur dhe disa ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë - të gjithë meshkuj të moshuar të bardhë.

"Çfarë dite në konventën @TrumpStudents në Phoenix", shkruante në Twitter @realRyanShear pas tubimit të të rinjve në Phoenix. "Kaq shumë folës dhe histori të shkëlqyera. Konservatorët e rinj nuk do të tërhiqen para turmës së majtë që dëshiron të heshtë lirinë e mendimit dhe të fjalës. # Trump2020 "

Një promotore për të rinjtë e bardhë është organizata S4T (Studentët për Trump-in), e themeluar në vitin 2015 nga studentët e Universitetit Campbell Ryan Fournier dhe John Lambert, që ka "mbi 5,'000 vullnetarë, 280 degë dhe mbi 13'000 vota të premtuara", që nga tetori 2019, thuhet në faqen e saj të internetit.

Besimi për të vepruar

Një studim i vitit 2018 nga qendra CIRCLE tregoi se "efikasiteti qytetar i vetë-perceptuar i të rinjve të bardhë ishte relativisht i lartë", 39 përqind e tyre besojnë se janë "të kualifikuar" për t'u përfshirë në politikë, një përqindje më e lartë se ajo e grave të reja të bardha ose të burrave dhe grave të reja me ngjyrë.

Përkundër kësaj, megjithatë, një shumicë prej 60% e "të rinjve të bardhë ishin nëngrupi i të rinjve që kishte më pak gjasa të ndjeheshin të dëgjuar nga zyrtarët e tyre të zgjedhur".

Por këta votues nuk pasqyrojnë në mënyrë të njëtrajtshme shqetësimet e burrave të moshuar të bardhë në Partinë Republikane.

Një studim i bërë nga Instituti i Politikave i Shkollës Harvard Kennedy zbuloi se shumë të rinj amerikanë mbështesin eliminimin e Kolegjit Zgjedhor, si dhe të siguracionit shëndetësor privat. Për më tepër, një "shumicë" e atyre që u anketuan mbështesin kontrollin e historikut të blerësve të armëve të sulmit.

"Unë gjithashtu do të doja që Trump të mbështesë dhe avancojë legjislacion dypartiak që mbron ajrin e pastër dhe ujin, investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen ekonomike për komunitetet në disavantazh në formën e një sistemi të ndryshëm nga programet tona të ndihmës aktuale," tha zoti Steed.

"Unë do të dëshiroja shumë të shikoja të realizohej ... premtimi i tij personal në vitin 2016 për të zgjeruar partinë në tërësi, për të qenë më gjithëpërfshirëse për të martuarit brenda të njëjtit seks dhe individët që identifikohen me komunitetin LGBT", shtoi zoti Steed.

"Ne jemi të bekuar me liri të jashtëzakonshme për shkak të themeluesve tanë, dhe kjo është diçka për ta festuar dhe dashuruar, dhe Presidenti Trump e bën këtë", tha zoti Martens.

Një banor i Virxhinias, zoti Martens nuk ka bërë fushatë për Presidentin Trump, por thotë se i pëlqen të flasë me miqtë për politikën dhe shpreson se "njerëzit mund ta shohin anën time të gjërave dhe unë mund t'ua shpjegoj me dhembshuri dhe mirësi". Ajo që nevojitet në Shtetet e Bashkuara është një "zhvendosje kulturore", thotë zoti Martens, siç është kthimi në vlerat tradicionale fetare.

"Shumë vlera konservatore janë të rrënjosura në fe dhe në parime dhe vlera fetare, por ndërsa njerëzit largohen nga feja, ne po humbasim aspektet e rëndësishme që sjell feja për komunitetet tona," tha ai.

Konservatorë, jo republikanë

Që nga zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018, megjithatë, presidenti është përballur me kritika për menaxhimin e tij të një larmie çështjesh, përfshirë ndërhyrjen e huaj në politikën amerikane, por edhe pandeminë dhe protestat më të fundit të shkaktuara nga tensionet racore.

Në mesin e kritikëve janë disa meshkuj konservatorë të bardhë - konservatorë të zjarrtë ose mbështetës të Presidentit Trump katër vjet më parë, por që tani u janë drejtuar mediave sociale për të shpjeguar se si ata kanë ndryshuar mendim se në kë do të mbështesin këtë vit zgjedhor.

"Unë dua t'i them secilës grua, myslimane, pjesëtare e komunitetit LGBTQ+, e minoriteteve, viktimave të sulmit seksual dhe shumë të tjerëve - më vjen keq", tha Zach nga Karolina e Veriut në një video në Twitter nga @ RVAT2020, i cili tha se votoi për zotin Trump në 2016-ën.

"Ju meritoni shumë më tepër sesa një njeri që ... miraton legjislacion që na kthen pas në çështjet sociale dhe lirinë individuale", tha ai.

Trey, një 18-vjeçar nga Teksasi, tha se ai ishte "jashtëzakonisht i ngazëllyer që mund të votonte për kandidatin republikan për të mbështetur përfundimisht vlerat konservatore me të cilat jam rritur dhe tek të cilat besoj".

"E kam pritur këtë vit prej kohësh", shpjegoi ai në një video në Twitter.

"Besimi i krishterë që Donald Trump pretendon të mbështesë nuk është i reflektuar në asnjë mënyrë, trajtë apo formë në mënyrën se si ai vepron. E gjitha ka për qëllim të jetë një fasadë për të flirtuar me votat e republikanëve, dhe politikat e tij i kanë drejtuar ato që republikanizmi dhe konservatorizmi nënkuptojnë në një drejtim krejtësisht të ndryshëm nga ai tek i cili unë besoj", tha ai.

Trey tha se ai do të votonte për dikë që “mbështet karakterin, udhëheqësinë, aftësinë për t'iu afruar të dyja palëve të skenës politike… Dhe ky person sigurisht nuk është Donald J. Trump”.

"Unë mendoj se Amerika mund të ribëhet ai qyteti i ndritshëm mbi kodër, siç na ka përshkruar dikur (ish-Presidenti Ronald) Reagan", shkruajti në Twitter @PrestonBrailer, i cili studjon në Universitetin e Pensilvanisë dhe e përshkruan veten si konservator. "Por së pari, mendoj se Donald Trump dhe udhëheqja aktuale e Partisë Republikane duhet të hiqen me votë"./VOA