Konfirmohet viktima e tretë nga koronavirusi sot në Kosovë
Sharr Travel

Konfirmohet viktima e tretë nga koronavirusi sot në Kosovë

Një 84-vjeçare nga komuna e Fushë Kosovës është sot viktima e radhës nga virusi COVID-19.

Ka ndërruar jetë një 84-vjeçare nga Komunë e Fushë Kosovës e cila ishte e prekur me koronavirus, por që kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, i cili shtoi se e moshuara ka qenë duke u trajtuar në shtëpi.

“Sot në orët e pasdites kemi edhe një rast me fatalitet në Komunën e Fushë Kosovës, bëhet fjalë për një person të gjinisë femërore, është 84-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e pandemisë, virusit COVID-19. Sipas informacioneve nga stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e ndjera ka vuajt edhe nga sëmundje të tjera, me të cilat është përballur. Ka qenë në shtëpi duke marrë trajtim”, tha Topalli për lajmi.net, i cili shtoi se sidomos ditëve të fundit gjendja e 84-vjeçares ka qenë shumë e rënduar.

I pyetur nëse ka familjarë të infektuar me koronavirus, Topalli ka thënë se këto të dhëna i disponon Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ai po ashtu bëri me dije se 84-vjeçarja shënon edhe viktimën e dytë në këtë komunë, përderisa tregoi se aktualisht në Fushë Kosovë janë 68 raste aktive me koronavirus.

“Gjithsej të infektuar i kemi 133, ku prej tyre 65 janë shëruar, dy kanë ndërruar jetë. Dhe gjithsej aktiv i kemi 68 raste”, tregoi Topalli.

Kjo është viktima e tretë e konfirmuar gjatë ditës së sotme, e cila humbi jetën dhe e cila ishte pozitive me COVID-19.

Gjithashtu, një i moshuar nga Podujeva vdiq sot, ndërsa një tjetër e moshuar nga Gjakova raportohet se kishte vdekur nga një tjetër sëmundje, ndërsa pas vdekjes rezultoi pozitive edhe në testin për COVID-19. 


MË SHUME NGA Aktuale