Milan-Juve premton emocione të forta!
Sharr Travel

Milan-Juve premton emocione të forta!

Sonte zhvillohen 5 ndeshje nga 3 kampionatet kryesore të Evropës, njëra më e bukur se tjetra, ku kartolina padiskutim është supersfida e Serie A Milan-Juventus. 

Në San Siro por edhe në ekranin e Supersport luhet një nga duelet më të zjarrta të futbollit italian. Diferencat në klasifikim janë të mëdha por në fushë është një tjetër dhe këtë e tregoi edhe gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Italisë e zhvilluar pas pandemisë ku Milani arriti të rrëmbente një barazim edhe pse luajti me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta. Kuqezinjtë e Piolit të cilët vinë në këtë sfidë pas suksesit bindës ndaj Lazios në fundjavë, do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv pasi synojnë të parakalojnë Romën në renditje për të shkuar në Europa League nga dera kryesore ajo e grupeve. Milani sot nëse ndal Juven mund t’i bëjë një nder kampionatit pasi mund ta rihapë atë gjithmonë nëse Lazio fiton në transfertën e orës 19:30 ndaj Lecces.

Ky duel mund të jetë edhe përballja e fundit mes dy legjendave të futbollit modern Zlatan Ibrahimovic dhe Cristiano Ronaldos, kjo për vetë faktin pasi vështirë se gjigandi suedez do të rinovojë me Milanin edhe për sezonin e ardhshëm. Java e 31-të e Serie A, megjithatë nis me sfidën Lecce-Lazio një sfidë të cilën bardhekaltrit e Simone Inzaghit duhet ta fitojnë me çdo kusht nëse duan të shpresojnë ende për titullin. Këtë të martë starton edhe java e 34-të e Premier League që vjen me dy sfida intriguese për zonën Champions. Në Emirates Stadium, Arsenali pret Leicester-in me objektiv të vetëm fitoren për të futur në garë për një vend në 4-shen e parë. Sfidë më e lehtë në letër për Chelsea-n që në transfertën ndaj Crystal Palace do të tentojë me çdo kusht të marrë tre pikët. Ndërkohë e marta e futbollit në Supersport do të mbyllet me duelin e orës 22:00 mes Celta Vigos dhe Valencias, sfidë e vlefshme për raundin e 35-të të La Ligas.