Presidenti Trump përshkallëzon luftën kulturore
Sharr Travel

Presidenti Trump përshkallëzon luftën kulturore

Presidenti amerikan Donald Trump është duke vendosur pa nguruar flamurin e tij në njërën anë të luftës së kulturave në Amerikë.

Në dy fjalime të profilit të lartë dhe në komente në Twitter, presidenti Trump kundërshtoi lëvizjen në rritje që dëshiron që forcat e policisë të trajtojnë paragjykimin racor, si dhe që kërkon heqjen e monumenteve dhe flamujve të Konfederatës.

Duke theksuar patriotizmin dhe një version tradicional të historisë amerikane, presidenti Trump po i drejtohet bazës së tij politike dhe iu kundërvihet kundërshtarëve të tij si të rrezikshëm për vendin.

Me sfond kokat gjigante në granit të katër presidentëve amerikanë në Malin Rushmore të premten, si dhe në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë për të festuar përvjetorin e pavarësisë së vendit të nesërmen, presidenti Trump paralajmëroi për një kërcënim të brendshëm nga turmat e zemëruara të përbëra nga anarkistë, marksistë dhe fashistë të së majtës së skajshme, të cilët "po përpiqen të rrëzojnë statujat e themeluesve tanë, të shpërfytyrojnë përmendoret tona më të shenjta dhe të çlirojnë një valë të dhunshme krimi në qytetet tona".

Një revolucion kulturor i krahut të majtë, sipas presidentit Trump, kërkon të zhvillojë një "fushatë të pamëshirshme për të zhdukur historinë tonë, për të shpifur ndaj heronjve tanë, për të fshirë vlerat tona dhe për të indoktrinuar fëmijët tanë".

Anketimet e opinionit publik kanë treguar një mbështetje të gjerë në radhët e amerikanëve për lëvizjen Black Lives Matter, me rreth dy të tretat e amerikanëve që thonë se mbështesin lëvizjen, përfshirë rreth 60% të amerikanëve të bardhë.

Gjatë fundjavës, një zëdhënës për fushatën e kandidatit të supozuar të demokratëve, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara po vuajnë për shkak se kanë një president "përçarës", të cilit nuk i "intereson asgjë, përveç përfitimit të tij".

"I gjithë vendi ynë është duke vuajtur përmes kostos shkatërrimtare të të paturit një president të pakujdesshëm, përçarës, të cilit nuk i intereson asgjë, përveç përfitimit të tij - jo të sëmurët, jo të papunët, jo Kushtetuta jonë dhe jo ushtarakët tanë të gjendur në rrezik", tha zëdhënësi i fushatës Andrew Bates në një deklaratë të shtunën.

Disa ligjvënës republikanë po lavdërojnë komentet e presidentit.

"Mendova se fjalimi ishte absolutisht një nga më të mirët që ai ka mbajtur. Sa e përshtatshme që i kujtoi popullit amerikan se jemi unikë dhe se mund të mbështeten tek shpresa, apo tek frika", tha senatorja Marsha Blackburn nga Tenesi gjatë një interviste në një emision të dielën në kanalin Fox News.

Retorika e presidentit Trump risjell në vëmendje temën "Masakra Amerikane" të përdorur gjatë fjalimit të tij të inaugurimit në vitin 2017. Të hënën, ai e çoi atë edhe më tej, duke sulmuar shoferin e vetëm afrikano-amerikan të garave NASCAR dhe duke kritikuar organizatën për ndalimin e saj rishtazi të shfaqjes së flamurit të Konfederatës gjatë garave.

Presidenti Trump pyeti haptazi nëse shoferi afrikano-amerikan, Bubba Wallace, ka kërkuar falje për mbështetjen që NASCAR i dha pasi u zbulua një litar në formë laku në një garazh të makinave të garave në Alabama, garazh që ai po e përdorte. Organizata NASCAR, dhe më vonë hetuesit, përcaktuan se litari përdorej për të tërhequr derën dhe se kishte qenë në garazh muaj përpara se zoti Wallace të përdorte këtë hapësirë.

Në Twitter, presidenti Trump pyeti nëse Wallace "u ka kërkuar falje të gjithë atyre shoferëve dhe zyrtarëve të shkëlqyeshëm të NASCAR, të cilët dolën në ndihmë të tij, qëndruan pranë tij, dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për të, vetëm për të zbuluar se e gjithë gjëja ishte thjesht një tjetër MASHTRIM?"

Presidenti Trump tha se përshtjellimi që u shkaktua prej litarit dhe "vendimi për flamurin i (marrë nga) NASCAR ka shkaktuar nivelet më të ulëta (të shikueshmërisë televizive) TË TË GJITHA KOHËRAVE!".

NASCAR kohët e fundit ndaloi në aktivitetet dhe objektet e saj çdo shfaqje të flamurit të Konfederatës, që simbolizon 11 shtetet jugore që u shkëputën nga Shtetet e Bashkuara në vitet 1860 në mbështetje të skllavërisë.

Një senator republikan që mbështet presidentin Trump, ka dalë megjithatë në mbrojtje të zotit Wallace dhe të organizatës NASCAR, duke thënë se shqetësimet e tyre "kishin plotësisht kuptim" dhe se shoferi nuk kishte asgjë për të cilën të kërkonte falje.

Zoti Wallace, në mesazhin e tij në Twitter të hënën, duke inkurajuar fëmijët që mund të ndjekin gjurmët e tij, përmendi shkurtimisht presidentin, duke thënë se njerëzit duhet të përdorin dashurinë për t'iu përgjigjur urrejtjes që iu hidhet, "edhe kur është urrejtje nga POTUS (Presidenti i Shteteve të Bashkuara)".

Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke folur në Fox News Radio, gjithashtu mbështeti vendimin e organizatës NASCAR për ndalimin e flamurit të Konfederatës.

"NASCAR është duke u përpjekur ta zgjerojë këtë sport dhe një mënyrë se si të rritet sporti është të hiqen imazhet që na ndajnë dhe të kërkohet të mos futen më brenda premisave", tha Senatori Graham.

Republikanët e tjerë janë gjithnjë e më pak dakort me fokusin e vitit të zgjedhjeve të presidentit tek lufta e kulturave, në një kohë kur një pandemi e koronavirusit ka vrarë më shumë se 130'000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

Bill Kristol, i cili shërbeu në administratat Ronald Reagan dhe George H.W. Bush, i tha Zërit të Amerikës se për votuesit në nëntor, "Trump-i është në pushtet - ai është përgjegjësi. Pra, është më shumë një gjykim se si po ia del ai, sesa në cilën anë të luftës së kulturave juve mund t'ju pëlqejë më shumë ose jo".

Zoti Kristol është një ndër personalitetet konservatore që kanë kritikuar prej kohësh presidentin dhe kundërshtojnë rizgjedhjen e tij.

Disa nga kritikët e presidentit i shohin thirrjet e tij të luftës kulturore si një teknikë shpërqëndrimi ndërsa përcakton axhendën politike të vendit.

"Trump do të preferonte të fliste për çështje të luftës së kulturave sesa për çështjet aktuale dominuese, për virusin jashtë kontrollit, rënien ekonomike apo kërkesat për të trajtuar racizmin në sistem", thotë profesorja e asociuar në Universitetin Texas A&M, Jennifer Mercieca, një historiane e retorikës politike amerikane.

"Trump është mbështetur vazhdimisht tek provokimi i zemërimit te ndjekësit e tij për t'i mbajtur ata të vëmendshëm dhe të angazhuar me mesazhet e tij dhe kjo mund të vazhdojë të funksionojë për të", i tha Zërit të Amerikës zonja Mercieca, autore e librit "Një demagog për President: Gjenialiteti retorik i Donald Trump-it". "Megjithatë, është një mesazh që nuk do të arrinte më shumë se forcimin e bazës së tij. Është e vështirë t'i bësh njerëzit të interesuar për një luftë kulturore, kur jeta e tyre është në rrezik", thotë ajo.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, të hënën u pyet nga gazetarët në lidhje me thënien e presidentit se 99 përqind e rasteve të COVID-19 "janë krejtësisht të padëmshme".

Sipas zonjës McEnany, presidenti Trump "po vinte në dukje faktin se shumica e amerikanëve që marrin koronavirusin, ja dalin mbanë".

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 20 përqind e atyre që diagnostikohen të infektuar shkojnë drejt sëmundjes së rëndë, përfshirë pneumoninë dhe dështimin e sistemit të frymëmarrjes.

Zyrtarë të tjerë të administratës gjithashtu i janë shmangur kundërshtimit të komenteve të presidentit që ulin rëndësinë e ashpërsisë së infeksionit.

Një sekretar i shtypit i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Bill Klintonit, Joe Lockhart, tha se të gjithë rreth presidentit Trump jetojnë me frikën se mos kundërshtojnë presidentin.

"Për komentet e tij më të këqija, ata thonë se ai thjesht po tallej, ose ishte sarkastik", tha zoti Lockhart për Zërin e Amerikës. "Por ata kurrë nuk do të thonë se ai ishte gabim. Problemi është se ai gabon shumicën e kohës”.

Me votuesit republikanë, niveli i miratimit të presidentit Trump është rritur në 91 përqind, por ka rënë në radhët e të pavarurve në 33 përqind, ndërsa presidenti merr një vlerësim pozitiv nga vetëm 2 përqind e votuesve të Partisë Demokrate në anketën e fundit të kompanisë Gallup, të botuar të hënën.

"Dallimi aktual prej 89 pikësh midis vlerësimeve të republikanëve dhe demokratëve të Trump-it është hendeku më i madh partiak që Gallup ka matur ndonjëherë për nivelin e miratimit presidencial, në një studim të vetëm", thonë anketuesit./VOA