Conte: Akoma i zhgënjyer për humbjen ndaj Bolognës, duhet të reagojmë

Conte: Akoma i zhgënjyer për humbjen ndaj Bolognës, duhet të reagojmë

Me rinisjen e kampionatit pas ndërprerjes për shkak të pandemisë, Interi ka bërë dy gafa në “San Sairo”, pasi fillimisht u ndal në një barazim 3-3 përballë Sassuolos dhe më pas tri ditë më parë u mposht 1-2 nga Bologna, ndonëse kishte avantazhin e një goli dhe një lojtari në fushë.

Bëhet fjalë për 5 pikë të hedhura poshtë në mënyrë shumë amatore nga futbollistët zikaltër, që nëse do të kishin treguar më shumë kujdes, tani do të ishin vetëm 6 pikë larg Juventusit kryesues dhe plotësisht në garë për titullin kampion.

Megjithatë me kalendarin e ngjeshur të futbollit pas pandemisë, zikaltrit do të rikthehen sërish në fushë nesër në mbrëmje, për t’u përballur me Veronën në “Bentegodi”, me synimin që të marrin një fitore dhe të harrojnë disfatën ndaj Bolognës.

Trajneri Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku pranoi se nuk i ka ikur ende zhgënjimi që pësoi në ndeshjen me Bolognën, ndërsa bëri thirrje që të tijtë të reagojnë në mënyrën më të mirë.

“Natyrisht që ka ende zhgënjim për mënyrën sesi e humbëm atë ndeshje, por më mirë që po zbresim në fushë kaq shpejt, pasi kemi mundësi të reagojmë dhe të lëmë pas krahëve gjithçka. Do të luajmë përballë një skuadre të përgatitur, që ka bërë shumë mirë këtë sezon dhe ka vënë në vështirësi çdo kundërshtar, ndaj duhet të kemi kujdes. Lojtarët janë informuar me detaje për mënyrën e lojës së Veronës dhe pikat e saj të dobëta e të forta, ndaj pres një reagim nesër”, u shpreh Conte.

Kalendari i ngjeshur dhe temperaturat e larta kanë shkaktuar dëmtime të shpeshta te lojtarët, gjë që po e vuan edhe Interi, ndërsa Conte pranon se është i detyruar që vazhdimisht të bëjë ndryshime në formacion, për t’u dhënë mundësi lojtarëve të çlodhen.

“Është një moment i veçantë dhe i ri për të gjithë skuadrat, ndaj duhet ta përballojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndeshjet e shpeshta dhe temperaturat e larta të marrin shumë energji, ndaj duhet të bëjmë vazhdimisht ndryshime, për të qenë sa më të freskët në fushën e lojës”, deklaroi trajneri i Interit.