Drita kryesuese përballet me kampionin në fuqi
Sharr Travel

Drita kryesuese përballet me kampionin në fuqi

Skuadra kryesuese e IPKO Superligës në Kosovë, Drita do të zbresë sot në fushë për të luajtur sfidën e vlefshme për javën e 29 të kampionatit, në të cilën kalendari i ka vënë përballë kampionin në fuqi, Feronikelin.

Gara është futur në fazën më vendimtare dhe skuadrat tani i bëjnë llogaritë me laps e letër, ndërsa gjilanasit do të kërkojnë suksesin e tetë radhazi në kampionat, për të konsoliduar pozitat në krye të renditjes, me 5 pikë larg Ballkanit që është ndjekësja më e afërt.

Drita po kalon një formë mjaft të mirë këto kohë dhe kryeson me meritë kampionatin, ku edhe është favoritja kryesore për të ngritur titullin kampion në fund, ndërsa Feronikeli luan pa pretendime, pasi është larg zonës europiane dhe asaj të rënies.

Flamurtari do të ketë një sfidë mjaft të lehtë në shtëpi, ku do të presë Dukagjinin e rënë tashmë në ligën e parë, me synimin për të marrë 3 pikët dhe për të qëndruar larg zonës së ftohtë të renditjes.

Kuqezinjtë bashkë me Drenicën e Trepçën ’89 do të duelojnë deri në fund për të shmangur rënien, ndërsa edhe skuadra nga Mitrovica do të zbresë në fushë pasditen e sotme për t’u ndeshur me Vushtrrinë, ku fitorja është një detyrim.

Të tri ndeshjet do të nisin në orën 17:00.